Luka Modriç po e shijon aventurën e tij të re te Milani, pa e harruar lidhjen e veçantë me Real Madridin.
Në një intervistë për “Marca”, mesfushori kroat foli për të tashmen e tij te kuqezinjtë, ambiciet për sezonin dhe arsyen që e shtyu ta pranonte sfidën italiane pas 13 vitesh të kaluara si protagonist në Madrid.
“Jam shumë i lumtur këtu në Milano. Që nga dita e parë më kanë pritur krahëhapur dhe jam shumë i kënaqur. Fakti që ky është tashmë viti i dytë radhazi që jam këtu është një sinjal i rëndësishëm. Sigurisht, më mungojnë Madridi, qyteti, klubi dhe gjithçka që kam përjetuar atje, por tani jam te Milani dhe jam i lumtur edhe këtu”.
Për Modriçin, zgjedhja e Milanit ishte e natyrshme edhe për shkak të historisë dhe prestigjit të klubit kuqezi.
“Milani është njëri nga klubet më të mira në botë, një klub historik që vitet e fundit nuk ka arritur rezultatet me të cilat të gjithë ishin mësuar, por kjo nuk e ndryshon faktin se është një skuadër e madhe dhe një nga klubet më të dashura në botë”.
Kroati tregon se e ka ndjerë menjëherë peshën e historisë së Milanit. “Kur mbërrin këtu, e ndien madhështinë e Milanit. Edhe në këtë qendër stërvitore ndihet historia: sa legjenda dhe sa lojtarë të mëdhenj kanë luajtur këtu. Kjo ishte padyshim një nga arsyet që e zgjodha Milanin”.
Një faktor i rëndësishëm ishte edhe lidhja personale me klubin, e krijuar që në fëmijëri. “Kur isha fëmijë dhe e shikoja futbollin italian, Milani ishte skuadra ime e preferuar. U bashkuan disa rrethana që e bënë më të lehtë vendimin pas Real Madridit, sepse gjithmonë kam pasur shumë dashuri dhe respekt për këtë klub. Kur erdhi kjo mundësi, nuk pata shumë dyshime”.
Duke folur për sezonin e ri, Modriç ka vendosur objektiva ambiciozë me Milanin.
“Duam të bëjmë më mirë se vitin e kaluar. Për një kohë të gjatë kemi bërë mirë, kemi qenë në garë për titullin deri rreth muajit mars, por më pas, në ndeshjet e fundit, pothuajse i hodhëm të gjitha poshtë dhe nuk arritëm të kualifikoheshim në Champions League”.
“Për Milanin ishte një goditje e fortë, sepse kjo skuadër, për shkak të historisë së saj, duhet të luajë në Champions League çdo vit. Është klubi i dytë me më shumë tituj evropianë pas Real Madridit”.
Numri 10 i Milanit dëshiron të jetë protagonist si brenda, ashtu edhe jashtë fushës. “Objektivi është të bëjmë mirë dhe ta ndihmojmë skuadrën në çdo aspekt, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.
Ka shumë entuziazëm. Këtë vit ka pasur shumë ndryshime: një trajner të ri dhe disa lojtarë të rinj. Klubi më ka konsideruar pjesë të rëndësishme të projektit, më ka dashur këtu dhe për këtë arsye jam këtu”.
Modric nuk e fsheh dëshirën për ta rikthyer Milanin në majat e futbollit. “Dua të garoj, të jap gjithçka dhe të përpiqem ta rikthej Milanin te fitoret. Një lojtar i vetëm nuk mund ta bëjë këtë, por të gjithë së bashku duhet ta bëjmë një përpjekje për ta rikthyer, hap pas hapi, klubin aty ku duhet të jetë”.
Sa i përket presionit, një element që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij, Modric shprehet se ndihet mirë në një ambient të tillë.
“Milani është një klub shumë kërkues. Unë funksionoj më mirë kur ka përgjegjësi dhe presion. Më pëlqen një ambient i tillë”.
Në fund, Modriç foli edhe për jetëgjatësinë e tij në futboll dhe dëshirën për të vazhduar të luajë në nivel të lartë.
“Nuk është e vështirë të gjesh motivimin. Unë e bëj atë që dua. Futbolli është jeta ime. Kam filluar të stërvitem që në moshën gjashtëvjeçare dhe vazhdoj ta kem të njëjtën ambicie, motivim dhe pasion”.
“Falë Zotit, ndihem mirë fizikisht dhe mendërisht. Nuk e konsideroj futbollin një punë. Për mua është diçka që ende më argëton. Për sa kohë që do ta kem këtë ndjesi, nuk shoh arsye për të ndaluar. Do të jetë trupi im ai që do të më tregojë kur të ketë ardhur momenti”.