Menaxheri i futbollistëve, Sokol Haxhia foli në Klan News, për disa nga lëvizjet e lojtarëve kuqezi në merkaton e verës.
Referuar largimeve nga Italia, drejt Turqisë apo Lindjes së Mesme, Haxhia theksoi se duket sikur niveli i lojtarëve ka rënë. Por theksoi se duke pasur minutazh, ku përmendi rastin e Asllanit, mund të ndikojë në formën e tyre.
Ai e cilësoi lëvizje të mirë atë të Mirlind Dakut, që kaloi nga Rubin Kazan te Spartak Moska në Rusi.
“Asllani me Gjimshitin plus Bajrami, janë ata që janë afruar drejt ligave të arabëve, në Emirate dhe në Arabinë Saudite.
Në një farë mënyre ne humbim lojtarë, si Ramadani që iku nga Serie A, iku në Turqi, Gjimshiti nga Serie A iku në Arabi, Asllani nga Serie A iku në Emiratet e Arabe. Në një farë mënyre, po ta shohësh nga jashtë, duket sikur niveli i lojtarëve tanë ka rënë.
Por mos harrojmë, për shembull, për Asllanin e them, mund të marrë atë minutazh që i ka munguar në gjithë këto vite dhe mund t’i ndihmojë për ecurinë e tij si lojtar. Mos harrojmë që është në huazim me të drejtë blerje, domethënë varet se si do e tregojë ai veten, a do të qëndrojë për vitin tjetër për gjithmonë në Emiratet e Arabe, apo do të kthehet prapë tek Interi.
Një lëvizje e mirë që mund të them nga gjithë këto lojtarë që kanë ikur, është ajo e Dakut, që shkoi tek Spartaku i Moskës, në një skuadër me emër. Pastaj është edhe Seferi, që nga një skuadër shkoi në kategorinë e dytë turke. Me thënë të drejtën, ka rënë pak vlera po t’i shohësh nga niveli i ekipeve këto transferimet”, deklaroi Haxhia.
Ai përmendi dhe një rast nga e kaluara, ku u shpreh se trajneri Gianni De Biasi u kualifikua në Europian, me lojtarë që luanin në ligat e dyta. Për Bajramin, Haxhia theksoi se është lojtari i dytë shqiptar tek Al Taawoun, pas Migen Memellit dikur.
“Atëherë do të them diçka. Për shembull, po të shohim ne kombëtaren e De Biasit që u kualifikua për në Europian, ne kishim shumë lojtarë që vinin nga Serie B gjermane, nga Bundesliga 2, ose lojtarë që vinin nga Serie B italiane.
Sot, pak a shumë, janë të gjithë lojtarët që luajnë në nivelet më të larta. Edhe pse Arabia Saudite mund të na duket kampionat i nivelit të ultë, ka afruar shumë kampionë, duke parë që luan dhe Cristiano Ronaldo, edhe pse është në fund të karrierës, kampionati arab nuk është më si më përpara.
Për shembull, Bajrami ka shkuar te një ekip që unë vite më parë, para një 10-12 vjetësh, kam shitur Migen Memellin te Al-Taawoun. Domethënë Bajrami është shqiptari i dytë, se para Bajramit ka luajtur Migen Memelli tek ky ekip. Në momentin që shkoi Memelli, nuk kishte nivelin që është tani. Kurse tani arrijnë të marrin një lojtar të Rangers, domethënë Arabia Saudite ka forcë financiare të madhe.”
Ndër të tjera, Haxhia u shpreh se me trajnerin e ri, Roland Maran, situata do të jetë ndryshe nga Sylvinho, pasi të gjithë lojtarët e nisin nga zero.
“Por për rritjen e lojtarit është një pikëpyetje, sepse rritet nga ana ekonomike, po mendoj që e ka shumë të vështirë nga ana sportive.
Unë mendoj që Maran, duke qenë trajneri i ri, çdo lojtar, po them gati pjesa më e madhe e lojtarëve, asnjë nuk e ka vendin e sigurt kur vjen një trajner i ri.
Me Sylvinhon ishte ndryshe, sepse kur ti krijon një njohje të madhe me trajnerin që ka vite që të trajnon e të gjitha, ai në moment edhe kur nuk je në formën më të mirë fizike të fut në lojë, edhe kur nuk luan tek ekipi yt të fut në lojë. Kurse unë mendoj që me Maranin e fillojnë gati të gjithë startin nga zero.
Unë e njoh personalisht Maranin, domethënë prej kohës së gjatë që ai ka pasur si trajner te Chievo dhe unë te Chievo kam zhvilluar shumë transferime.
Dhe është një person që i dedikohet shumë punës Domethënë është një trajner që edhe me emra të vegjël di të punojë. E vetmja gjë që për mendimin tim duhet parë është se te ekipi i Chievos ai ishte një trajner që punonte shumë, por e kishte skuadrën 12 orë në ditë aty”, deklaroi Haxhia.