Largimi i Lazër Matijas nga roli i presidentit, reagon klubi i Vllaznisë

Futboll

Largimi i Lazër Matijas nga roli i presidentit, reagon klubi i Vllaznisë

Më: 4 shtator 2026 Në ora: 20:29
Lazër Matija

Ditën e sotme, presidenti i klubit të Vllaznisë së vajzave, Lazër Matija njoftoi dorëheqje nga posti që mbante. Ndërsa u përfol edhe për një tërheqje të ekipit shkodran nga kampionati, por që më pas nuk rezultoi e vërtetë.

Ndërsa së fundmi, ka reaguar edhe klubi i Vllaznisë së meshkujve. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, klubi “kuqeblu” nuk kursen elozhet për Lazër Matijan.

"Për ne, ky nuk është thjesht lajmi i largimit të një drejtuesi. Është një mesazh tronditës për futbollin shqiptar dhe shkodran në veçanti, për të gjithë pasionantët dhe tifozët kuqeblu, si dhe një kambanë e fortë alarmi për të ardhmen e futbollit të femrave në Shkodër dhe në Shqipëri.

Me përkushtim të jashtëzakonshëm, sakrifica personale, punë profesionale dhe një pasion të rrallë, Vllaznia e Femrave u shndërrua në skuadrën simbol të futbollit shqiptar të femrave dhe arriti aty ku pak kush mund ta kishte imagjinuar: në skenën më të madhe të futbollit europian, duke u përballur në UEFA Women’s Champions League me emra të tillë si Real Madrid, Paris Saint-Germain dhe Chelsea.

Në këtë histori, emri i Lazër Matijës zë një vend të veçantë dhe të pazëvendësueshëm. Ai nuk ka qenë thjesht drejtuesi i një skuadre futbolli, por arkitekti i një prej historive më të bukura dhe më të suksesshme të sportit shkodran dhe shqiptar.

Me vizion, karakter, këmbëngulje dhe një përkushtim që rrallë gjendet në sportin tonë, ai ndërtoi nga themelet një model që tejkaloi kufijtë e Shkodrës dhe të Shqipërisë. Lazër Matija është një nga ata njerëz që futbollit i ka dhënë shumë më tepër sesa ka marrë prej tij.

Për 13 vite ai investoi jo vetëm financiarisht, por mbi të gjitha kohën, energjinë, reputacionin dhe pasionin e tij për t’u dhënë vajzave shkodrane mundësinë të ëndërrojnë, të zhvillohen dhe të konkurrojnë në nivelin më të lartë.

Nën drejtimin e tij, Vllaznia nuk u bë vetëm kampione e Shqipërisë. Ajo u bë një emër i respektuar në Europë, një ambasadore e Shkodrës dhe e Shqipërisë dhe një nga historitë më të bukura të sportit tonë në arenën ndërkombëtare", thuhet nga Vllaznia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat