Laudrup kritikon Federatën

Futboll

Laudrup kritikon Federatën

Më: 8 shtator 2026 Në ora: 17:36
Michael Laudrup

Legjenda e futbollit danez, Michael Laudrup, ka kritikuar Federatën Daneze të Futbollit për mënyrën se si e ka komunikuar dështimin e përfaqësueses për t`u kualifikuar në Kupën e Botës 2026.

Danimarka mbeti jashtë Botërorit pas dështimit në kualifikimet e zhvilluara në fund të marsit. Pas këtij zhgënjimi, Laudrup ka thënë se Federata nuk ka dhënë një shpjegim të qartë dhe në kohë për arsyet që çuan në këtë rezultat.

"U befasova që nuk mundën të nxirrnin një deklaratë. U deshën disa javë derisa arritën në përfundimin se kishte probleme me ndërprerjet dhe me lojën brenda dy zonave të rreptësisë.

Këtë mund ta kishin thënë që të nesërmen. Nuk është ndonjë shkencë e komplikuar. Nuk ka pasur shumë deklarata nga Federata", ka thënë Laudrup.

Kritikat e ish-futbollistit të njohur lidhen kryesisht me mungesën e komunikimit pas eliminimit. Sipas tij, federata duhej t'u shpjegonte tifozëve dhe opinionit sportiv shumë më shpejt se çfarë shkoi keq.

Drejtori i futbollit në Federatën Daneze, Peter Moller, e ka pranuar se ekziston një debat rreth kësaj çështje, por nuk është pajtuar me vlerësimin e Laudrup.

Moller ka thënë se federata ka pasur shumë mundësi për t'iu përgjigjur pyetjeve shtesë dhe se gazetarët dhe ekspertët ishin ftuar në një prezantim të detajuar të analizës së bërë pas eliminimit.

"Siç e kanë përjetuar të gjithë tifozët kur skuadra e tyre po kalon një periudhë të vështirë, nuk është gjithmonë e thjeshtë të japësh një shpjegim tërësisht të prerë se pse humbet një ndeshje.

Ne bëmë një analizë dhe identifikuam katër arsye kryesore. Për këto kemi folur në disa intervista të rëndësishme", ka deklaruar Moller.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat