Alisson gjobitet nga Federata angleze pas incidentit ndaj Forest

Futboll

Alisson gjobitet nga Federata angleze pas incidentit ndaj Forest

Më: 10 shtator 2026 Në ora: 15:39
Alisson

Portieri i Liverpoolit, Alisson Becker, është gjobitur me 8 mijë funte nga Federata Angleze e Futbollit (FA), pas sjelljes së tij në përfundim të ndeshjes ndaj Nottingham Forestit.

Incidenti ndodhi pas barazimit 2-2 mes dy skuadrave në Premier League, muajin e kaluar. Portieri brazilian ishte ndëshkuar më herët me karton të verdhë për protesta ndaj gjyqtarit, pasi tabela elektronike për zëvendësimet nuk ishte gati në momentin kur Liverpooli po përgatitej të kryente një zëvendësim të trefishtë.

Pak çaste më vonë, Forest rifilloi lojën shpejt dhe Neco Williams depërtoi në zonën e Liverpoolit, ku u ndal nga Alissoni. Gjyqtari akordoi penallti, nga e cila miqtë kaluan në epërsi 2-1.

Liverpooli arriti të barazojë rezultatin, ndërsa pas përfundimit të takimit Alisson kaloi pranë tabelës elektronike të zëvendësimeve, e cila ishte vendosur në tokë pranë hyrjes së tunelit. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan portierin duke e goditur me këmbë tabelën, duke shkaktuar dëmtimin e pajisjes.

Federata Angleze konfirmoi më pas masën disiplinore ndaj 33-vjeçarit.

“U pretendua se portieri kishte vepruar në mënyrë të pahijshme në zonën pranë tunelit pas përfundimit të ndeshjes. Alisson Becker më pas e pranoi akuzën ndaj tij dhe mori dënimin standard”, thuhet në reagimin e FA-së.

Liverpooli, që pas dy barazimeve në dy ndeshjet e para të kampionatit regjistroi fitoren ndaj Ipswich Townit, do të rikthehet në aksion të shtunën, kur në shtëpi pret Fulhamin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat