Plani i janarit

Futboll

Plani i janarit

Më: 10 shtator 2026 Në ora: 16:11
Milani

Milani ka nisur të mendojë që tani për merkaton e janarit, me Ruben Amorim dhe drejtuesit e klubit që po punojnë për të përforcuar një skuadër të ndërtuar jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

Trajneri portugez ka krijuar një komunikim të drejtpërdrejtë me Xherri Kardinale dhe drejtuesit e klubit, duke nënvizuar rëndësinë që të gjithë të jenë në një linjë sa i përket strategjisë së merkatos. Një nga emrat më tërheqës në listën e Milanit është Endrik.

Sulmuesi brazilian i lindur në vitin 2006, aktualisht pjesë e Real Madridit, ishte një objektiv që klubi e kishte marrë në konsideratë prej disa javësh.

Kardinale madje kishte diskutuar mundësinë e transferimit me drejtuesit e Realit, por ideja u bllokua nga trajneri Zhoze Murinjo, i cili nuk ishte dakord me largimin e lojtarit në formë huazimi. Megjithatë, Milani nuk ka hequr dorë. Klubi shpreson që në janar të rikthehet në garë për Endrik, fillimisht me një huazim dhe, nëse është e mundur, me opsion blerjeje.

Braziliani shihet si një lojtar që mund të mbulojë më shumë se një rol, pasi mund të luajë si qendërsulmues, por edhe pas sulmuesit kryesor Gonçalo Ramos. Në këtë mënyrë, Endrik përfaqëson filozofinë e re të Milanit, investime te lojtarët e rinj, me synimin për të ndërtuar gradualisht një skuadër konkurruese për trofe. Por janari mund të sjellë edhe një përforcim të rëndësishëm në repartin defensiv. Gonçalo Inacio është rikthyer në listën e objektivave të kuqezinjve. Mbrojtësi 25-vjeçar i Sportingut ishte kërkuar edhe gjatë merkatos së verës, por marrëveshja nuk u arrit në kohë.

Nevoja për një tjetër qendërmbrojtës është bërë më e dukshme në javët e para të sezonit. Milani ka treguar se pa Mario Gilën opsionet në prapavijë janë të kufizuara, me Gabia dhe Tomori si alternativat kryesore, ndërsa situata e Diavarasë ende duhet vlerësuar. Gila ka qenë një nga afrimet më të rëndësishme të verës dhe ka dhënë menjëherë siguri, por vetëm prania e tij nuk mjafton për të zgjidhur të gjitha problemet e mbrojtjes.

Për këtë arsye, drejtuesit kuqezi pritet të rikthehen te pista Inacio në janar.

Kështu, Milani po përgatit një merkato të orientuar drejt dy objektivave, një talent të madh për sulmin dhe një mbrojtës cilësor për të rritur konkurrencën në prapavijë. Amorim dhe Kardinale duket se kanë një plan të qartë, të korrigjojnë mangësitë e skuadrës dhe, njëkohësisht, të ndërtojnë bazat e Milanit që synon rikthimin në majën e futbollit italian dhe europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat