Finalja e Kampionatit Botëror 2030 do të zhvillohet pranë Kazablankës, deklaroi të enjten presidenti i Federatës Mbretërore Marokene të Futbollit.
FIFA ende nuk e ka bërë zyrtarisht të ditur vendin ku do të zhvillohet finalja, ndërsa Spanja dhe Maroku po garojnë për të pritur ndeshjen më të madhe të futbollit.
“Provinca Benslimane do të ketë nderin të presë finalen e Kupës së Botës 2030”, tha Fouzi Lekjaa të enjten në një tubim të një partie politike në qytetin maroken Bouznika, raportoi agjencia EFE.
Benslimane është një qytet rreth 60 kilometra nga Kazablanka dhe pikërisht aty po ndërtohet stadiumi “Hassan II”, me një vlerë të projektit prej rreth 12 miliardë dollarësh.
Stadiumi po ndërtohet për nevojat e Kupës së Botës dhe është planifikuar të ketë një kapacitet prej 115.000 shikues. Ai do të jetë stadiumi më i madh në botë i ndërtuar ekskluzivisht për futboll.
FIFA ende nuk i ka përcaktuar përfundimisht të gjitha qytetet që do të presin ndeshjet, ndërsa si Maroku, ashtu edhe Spanja duan të organizojnë finalen.