Epërsia bindëse që Shkëndija kishte ndaj rivalëve, filloi të shkrihej me shpejtësi.
Pas humbjes në shtëpi nga Tikveshi, tetovarët këtë pasdite “ngecën” edhe në udhëtim ndaj Arsimit në Gostivar, ku ndeshja përfundoi 2:2.
Trajneri Pollozhani ka të drejtë të jetë i zemëruar me futbollistët e tij, duke pasur parasysh se Shkëndija kishte epërsi 0:2 dhe përmes Nzengues humbi dy raste për ta çuar rezultatin në 0:3.
Më pas u ndëshkua për dy gabimet e mëdha dhe mbeti vetëm me një pikë, në vend të tri pikëve të dëshiruara.
Shkëndija dominoi, por për të kaluar në epërsi fillestare iu desh të priste “magjinë” e kapitenit Besart Ibraimi, i cili me një goditje mjeshtërore nga gjuajtja e lirë realizoi për 0:1.
Ibraimi pati kontribut edhe në golin e dytë, kur pas krosimit të tij dhe daljes së dobët të portierit vendas, Maliqi u gjend mirë dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 0:2.
Megjithatë, në pushim u shkoi me rezultat 1:2, pasi Arsimi në minutat shtesë të pjesës së parë e ngushtoi epërsinë me golin e Contreras, pas një ndërhyrjeje të dobët dhe topit të kthyer nga portieri Ramani.
Tetovarët ishin kundërshtar më i mirë edhe në pjesën më të madhe të pjesës së dytë. Ata nuk shfrytëzuan disa raste, ndërsa më pas erdhi një tjetër gabim i madh: Shkëndija humbi topin në zonën e saj të rreptësisë dhe Contreras, me një goditje të ngadaltë por precize, e mposhti përsëri Ramani për 2:2..