Stadiumi i Librazhdit gati për Kategorinë e Parë

Futboll

Stadiumi i Librazhdit gati për Kategorinë e Parë

Më: 11 shtator 2026 Në ora: 23:53
Fusha

Zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit zhvilluan një vizitë inspektuese në stadiumin e Librazhdit, në kuadër të verifikimit të kushteve dhe standardeve të nevojshme për zhvillimin e ndeshjeve të Kategorisë së Parë.

Gjatë javëve të fundit, klubi i Sopotit, në bashkëpunim me Bashkinë e Librazhdit, ka realizuar një sërë ndërhyrjesh për përmirësimin e infrastrukturës së stadiumit dhe përshtatjen e tij me kriteret e licencimit.

Punimet kanë përfshirë përmirësimin e dhomave të zhveshjeve dhe pankinave, vendosja e platformave për kamerat e transmetimit të ndeshjeve, përmirësimin e kushteve për tifozët, si edhe ndërhyrje në fushën e lojës, e cila tashmë është sjellë në parametra optimalë.

Pas inspektimit dhe verifikimit të të gjitha ndërhyrjeve të realizuara, stadiumi i Librazhdit plotëson kriteret e nevojshme për të pritur ndeshjet e Sopotit në Kategorinë e Parë.

Kështu, Sopoti do të ketë mundësinë të zhvillojë ndeshjet e sezonit të ri në shtëpi, në një stadium të përmirësuar dhe me kushte më të përshtatshme për skuadrën, tifozët dhe zhvillimin e aktivitetit sportiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat