Miliarderi saudit, Turki Alalshikh, një prej figurave më të fuqishme në botën e boksit, është lidhur me një interesim të mundshëm për blerjen e Leicester Cityt.
Klubi anglez, ish-kampion i Premier League në sezonin 2015-2016, aktualisht po kalon një periudhë të vështirë pas dy rënieve radhazi nga kategoria.
Sipas raportimeve të Ben Jacobs të “talkSPORT”, Alalshikh është “kontaktuar” nga drejtuesit e Leicesterit për një blerje të mundshme.
Pronarët aktualë, King Power, raportohet se e kanë nxjerrë klubin në shitje.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse Alalshikh është personalisht i interesuar apo nëse do të përfshihej përmes një konsorciumi.
Biznesmeni skocez-indian Neil Lal po udhëheq ndërkohë një tjetër grup që synon blerjen e Leicesterit.
Sipas tij, pronarët aktualë kërkojnë rreth 200 milionë paund për klubin, përveç borxheve të konsiderueshme që do të merrte përsipër blerësi.
Interesimi i mundshëm i Alalshikh vjen pak kohë pasi ai ishte pranë blerjes së Derby Countyt.
Marrëveshja me Derby-n u ndërpre në gusht, pasi sezoni kishte nisur dhe konsorciumi nuk kishte më kohë për të përgatitur skuadrën.
Alalshikh kishte shpjeguar se, në këto kushte, nuk do të ishte e drejtë të vazhdohej me blerjen.
Megjithatë, ai la të hapur mundësinë për të rikthyer bisedimet me klubin në të ardhmen.
Edhe më herët, emri i tij ishte lidhur me investime të mundshme në futbollin anglez, përfshirë Bristol Cityn.
Tani Leicester City mund të jetë destinacioni i radhës për biznesmenin saudit, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për ndonjë marrëveshje.
Nëse interesi konkretizohet, një investim i Alalshikhut do të ishte një zhvillim i madh për Leicesterin, që po kërkon të rikthehet në nivelet më të larta të futbollit anglez.