Trajneri i Milanit, Rúben Amorim, ka zbuluar se Christian Pulisic është i pakënaqur me minutat e pakta që ka luajtur, ndërsa shtoi se pret që lojtari të ketë më shumë minuta në vazhdim.
Pulisic ka qenë një lojtar kyç që prej transferimit te Milani tre vjet më parë, duke kaluar formën më të mirë shënuese të karrierës së tij në dy sezonet e para.
Tani, Pulisic po punon për t’u rikthyer në formën e plotë fizike pas një lëndimi në ndeshjen e fundit të SHBA-së në Kupën e Botës dhe nuk ka luajtur në tri ndeshjet e para të Milanit në sezonin 2026-2027.
Duke folur të premten, Amorim tha: “Christian Pulisic nuk është i lumtur sepse nuk ka luajtur deri më tani. Por mua më pëlqen shumë si lojtar, mos harroni se ai ishte i lënduar këtë verë”.
“Unë kurrë nuk do ta zgjedh formacionin tim titullar bazuar në emrat e mëdhenj. Këto janë parimet e mia dhe nuk do të ndryshojnë. Por mua më pëlqen shumë Pulisic, nesër ai do të luajë disa minuta”, shtoi ai.
Pavarësisht lavdërimeve të Amorimit për Pulisicin, mungesa e minutave tashmë do të jetë shqetësuese për tifozët amerikanë që shpresojnë ta shohin 27-vjeçarin të rikthehet fuqishëm këtë sezon.
Amorim ka një stil loje shumë të pakompromis – siç u dëshmua gjatë periudhës së tij zhgënjyese te Manchester Unitedi – dhe Pulisic mund të jetë duke pyetur veten se çfarë duhet të bëjë për të fituar një vend në planet e trajnerit.
Megjithatë, Amorim duket se nuk ka gjasa të devijojë nga stili i tij i zgjedhur dhe këtë e theksoi sërish gjatë konferencës për media të premten.
Duke folur për synimet e tij me Milanin, Amorim tha: “Nëse shikoni Arsenalin, atyre iu desh kohë për të fituar tituj dhe për të ndërtuar një model”.
“Kjo është ajo që dua të bëj këtu te Milani. Kjo kërkon kohë, unë dua të fitoj këtu dhe ky është vizioni”, shtoi ai.