Ish - sekretar i Përgjithshëm dhe ish-avokat i FFK-së, Taulant Hodaj ka dalur me një shkrim në lidhje me Amir Rrahmanin, i cili është tërhequr nga kombëtarja e Kosovës, ku kishte dhënë edhe arsyet e tij.
“Kosova po kalon nëpër sfida të shumta politike, ku vëmendja e opinionit publik është e përqendruar në shumë çështje njëkohësisht. Por kur Amir Rrahmani, kapiteni i Kosovës dhe aktualisht futbollisti shqiptarë më i suksesshëm në arenën ndërkombëtare, deklaron se nuk mund të luajë për Kosovën përderisa FFK-ja udhëhiqet nga personat aktualë, duhet të jetë alarm për të gjithë.
Në një kohë kur shumë njerëz, për të arritur apo ruajtur pozitat e tyre, zgjedhin heshtjen përballë dukurive negative, liderët e vërtetë bëjnë diferencën kur janë të gatshëm të sakrifikojnë interesin personal për të mirën e përgjithshme.
Amiri ka mundur të heshtë, të vazhdojë sukseset e tij kulmore në futbollin ndërkombëtar dhe të mbetet kapiten i Kosovës.
Përkundër padrejtësive të vazhdueshme gjatë këtyre dy viteve, ai reagoi publikisht vetëm pasi u shterën përpjekjet për t’i adresuar problemet brenda shtëpisë së futbollit, duke mos dashur ta dëmtojë Kombëtaren dhe Kosovën në periudha të rëndësishme. Kjo meriton respekt!
Madje, konsideroj se Kapiteni është treguar shumë modest dhe i përmbajtur në deklaratën e tij. Ai nuk i ka detajuar shumë prej padrejtësive, presioneve, kërcënimeve dhe veprimet serioze penale që kanë cenuar atë dhe funksionimin e Kombëtares, përfshirë çështje për të cilat ekzistojnë dyshime serioze për shkelje ligjore nga veprimet e udhëheqësisë së FFK-së dhe disa personave të lidhur-paguar nga buxheti i kësaj të fundit për të diskredituar çdo zë që kërkon profesionalizëm në FFK.
Nga ajo që kam parë dhe përjetuar edhe vetë si ish-Sekretar i Përgjithshëm dhe ish-avokat i FFK-së, kërkesave për profesionalizëm, organizim dhe llogaridhënie jo vetëm që nuk u është dhënë përgjigjja e duhur, por njerëzit që i kanë ngritur këto shqetësime janë penguar, kërcënuar dhe luftuar pa zgjedhur mjete. Sot po tentohet e njëjta gjë edhe me kapitenin Amir Rrahmani.
Siç pritej, tashmë është aktivizuar makineria e zakonshme e sulmeve dhe propagandës në rrjetet sociale kundër Amirit, fushatë kryesisht e orkestruar dhe paguar nga kepërdorimi i buxhetit të FFK-së. Kjo nuk duhet ta largojë vëmendjen nga thelbi i deklaratës së tij dhe paraqitjes që ka bërë para organeve të drejtësisë.
Amiri nuk tha se po pensionohet nga Kombëtarja dhe as se është lodhur nga Kosova.
Përkundrazi, në kulmin e karrierës së tij, ai po sakrifikon pozitën e kapitenit për të kërkuar ndryshim, profesionalizëm dhe një Kombëtare të organizuar në nivelin që Kosova dhe futbollistët e saj meritojnë.
Besoj se institucionet kompetente, përfshirë organet e drejtësisë, do ta thonë fjalën e tyre. Si protagonist i drejtpërdrejtë i disa prej këtyre zhvillimeve, nuk do të hezitoj të kontribuoj që e drejta dhe vërteta të triumfoj, përgjegjësitë të përcaktohen dhe praktika të tilla të mos përsëriten.
Futbolli, Kombëtarja dhe FFK-ja janë të Kosovës, jo të individëve”, ka shkruar Hodaj në profilin e tij në facebook.