Laporta mbron Yamalin

Futboll

Laporta mbron Yamalin

Më: 15 shtator 2026 Në ora: 12:49
Yamal e Laporta

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka ndezur edhe më shumë rivalitetin me Real Madridin, duke këmbëngulur se Lamine Yamal e meriton të fitojë “Topin e Artë” këtë vit.

Duke folur për mediat pas një darke me agjentin e njohur Jorge Mendes, Laporta komentoi fillimisht situatën e Rayo Vallecanos, përpara se të kalonte te tema më e diskutuar e momentit: gara për “Topin e Artë”.

Thumb ndaj Real Madridit

Sipas gazetës spanjolle “Marca”, Laporta u shpreh i kënaqur me vendimin që i mundëson Rayo Vallecanos të vazhdojë të luajë në stadiumin e vet, duke bërë një krahasim indirekt me Real Madridin.

“Jam shumë i lumtur për presidentin Raul Martin Presa pas vendimit të përkohshëm që i lejon Rayo Vallecanos të luajë në Vallecas. Ai e meriton këtë”, deklaroi Laporta.

“Ishte e paimagjinueshme që për disa të riklasifikohen stadiumet, ndërsa të tjerëve t’u ndalohet të luajnë në fushën e tyre, edhe pse i kanë të gjitha licencat në rregull”, shtoi ai, në një referencë të qartë ndaj Real Madridit.

Laporta: Yamal ka të drejtë të besojë se e meriton Topin e Artë

Presidenti i Barcelonës më pas mbrojti deklaratat e Lamine Yamalit, i cili kishte thënë publikisht se beson se e meriton “Topin e Artë”.

Sipas Laportës, nuk ka asgjë të gabuar që një futbollist të shprehë besim tek vetja, duke përmendur edhe Kylian Mbappen si shembull.

Francezi ishte pyetur më herët se për kë do të votonte për një çmim individual dhe ishte përgjigjur: “Për veten time”.

Laporta e përdori këtë si argument në mbrojtje të talentit të Barcelonës.

“Do të isha shumë i lumtur nëse Lamine Yamal do ta fitonte Topin e Artë dhe besoj se e meriton”, deklaroi ai.

I pyetur nëse ishte gjë e mirë që Yamal të thoshte vetë se e meritonte çmimin, Laporta u përgjigj pa hezitim.

“Sigurisht që po, sepse edhe të tjerët thonë të njëjtën gjë për veten e tyre. Bota ka ndryshuar pak dhe këta të rinj sillen me shumë spontanitet. Lamine e tha në kuptimin pozitiv. Ai tha atë që mendonte se duhej të thoshte.”

“Të rinjtë nuk kanë komplekse”

Laporta beson se një nga arsyet pse lojtarët e rinj arrijnë sukses kaq shpejt është mungesa e frikës dhe komplekseve.

“Duhet të kuptojmë se janë lojtarë të rinj dhe nuk kanë komplekse. Pikërisht për këtë arsye arrijnë kaq shpejt në nivele të larta”, tha ai.

“Lamine ka talent dhe tashmë është një lojtar referencë.”

Yamal është shndërruar në një nga figurat kryesore të Barcelonës dhe konsiderohet një nga kandidatët më të fortë për “Topin e Artë”.

Barcelona mbështet kandidaturën e Yamalit

Laporta gjithashtu mbrojti vendimin e klubit për ta mbështetur fuqishëm kandidaturën e Yamalit.

Kjo çështje kishte marrë vëmendje pas deklaratave të Rodrit, i cili kishte sugjeruar se Barcelona po e mbështeste në mënyrë të veçantë yllin e saj të ri.

“Ne i mbështesim të gjithë lojtarët e Barcelonës, por është e vërtetë se Lamine ka bërë gjëra me Barçën që e bëjnë të denjë për këtë çmim”, deklaroi presidenti katalanas.

Laporta vlerëson Rodrin

Në fund, Laporta foli edhe për Rodrin dhe qëndrimin e tij lidhur me kandidaturën e Yamalit.

Presidenti i Barcelonës e vlerësoi lart mesfushorin spanjoll, jo vetëm si futbollist, por edhe për karakterin dhe pjekurinë e tij.

“Ai është një person shumë i arsyeshëm dhe i pjekur. Është lider”, tha Laporta.

“Fakti që ai mban këtë qëndrim për një çmim kaq të rëndësishëm thotë shumë për të.”

Gara për “Topin e Artë” po shndërrohet kështu edhe në një tjetër kapitull të rivalitetit mes Barcelonës dhe Real Madridit, me Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe në qendër të debatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat