Coutinho sqaron largimin nga Vasco

Futboll

Coutinho sqaron largimin nga Vasco

Më: 15 shtator 2026 Në ora: 14:35
Coutinho

Philippe Coutinho ka zyrtarizuar transferimin te Santos, ku do të qëndrojë deri në fund të sezonit, ndërsa ka shpjeguar edhe vendimin e tij për t’u larguar nga Vasco da Gama.

Ish-ylli i Liverpoolit, 34-vjeçar, ishte pa klub që prej largimit nga Vasco da Gama në shkurt, teksa kishte deklaruar se po përballej me lodhje të madhe mendore.

Kalimi i tij te Santos, një prej rivalëve të Vasco da Gamës, pritet të shkaktojë reagime të shumta në Brazil. Për këtë arsye, Coutinho ka vendosur të sqarojë publikisht situatën dhe arsyet që e shtynë të largohej nga klubi ku u rrit.

“Vasco ka qenë gjithmonë shtëpia ime. Jam rritur te Vasco, kam kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e akademisë dhe kam arritur deri te ekipi i parë. Gjithmonë e kam bërë të qartë dashurinë, mirënjohjen dhe afeksionin që kam për klubin”, tha ai.

Coutinho ka theksuar se rikthimi te Vasco nuk ishte i lidhur me aspektin financiar, pasi ai ishte i gatshëm të hiqte dorë nga një kontratë shumë e vlefshme në Katar.

“Kur u shfaq mundësia për t’u rikthyer te Vasco, kisha ende një vit kontratë në Katar, ku fitoja 10 milionë dollarë neto. Dua ta bëj të qartë këtë, në mënyrë që njerëzit ta kuptojnë situatën”, theksoi Coutinho.

Ai ka treguar gjithashtu se kishte bërë të pamundurën që Vasco të mos paguante për transferimin e tij.

“Kisha ende një vit kontratë edhe me Aston Villan. Për t’u bashkuar me Vasco, gjithmonë ua bëra të qartë të gjithë njerëzve që punojnë me mua se Vasco nuk do të shpenzonte asnjë cent për transferimin tim. Ky ishte prioriteti im”, pohoi ai.

Coutinho u rikthye te Vasco me synimin për të fituar trofe dhe për të konsoliduar statusin e tij si një prej figurave më të rëndësishme të klubit. Megjithatë, marrëdhënia me tifozët u përkeqësua.

“U ktheva me mentalitetin për t’u bërë kampion me Vasco dhe ndoshta për ta forcuar veten si idhull të klubit.”

“E di që shumë njerëz thonë se ishin vetëm disa vërshëllima, por kushdo që ishte aty e di se si ishte. I gjithë stadiumi po më ofendonte dhe kërkonte që të largohesha. Ishte jashtëzakonisht e vështirë”, theksoi Coutinho.

Në fund, ish-reprezentuesi brazilian tha se vendimi për t’u larguar ishte i dhimbshëm, por i domosdoshëm për shëndetin e tij.

“M’u desh të merrja vendimin më të vështirë të jetës sime, që ishte të vendosja shëndetin tim në plan të parë. E dija se cilat do të ishin pasojat, por isha plotësisht i sinqertë me veten dhe në asnjë moment nuk e braktisa Vasco-n”, deklaroi Coutinho.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat