Debutimi me Napolin

Futboll

Debutimi me Napolin

Më: 15 shtator 2026 Në ora: 16:14
Kostantino Favasuli

Pesë ditë që ndryshuan gjithçka për Kostantino Favasulin.

Nga një lojtar pak i njohur në Napoli, në protagonist të një jave të jashtëzakonshme: debutim në Champions, debutim në Serinë A dhe një asist vendimtar për golin e fitores.

Favasuli priti gjatë për të veshur fanellën e Napolit dhe kur iu dha mundësia, nuk zhgënjeu.

Debutimi në Champions ndaj Arsenalit ishte vetëm fillimi. Pesë ditë më pas, trajneri Maks Alegri e hodhi sërish në fushë për të ndryshuar ritmin e skuadrës.

Dhe përgjigjja ishte perfekte. Favasuli u fut me energji, dha asistin për golin e Stanislav Lobotkës dhe ndezi stadiumin “Maradona”. Një debutim në Serinë A që vështirë se mund të imagjinohej më i bukur.

Pas ndeshjes, Favasuli e priti suksesin me shumë modesti. “Po jetoj një ëndërr dhe jam shumë i lumtur, por kjo është vetëm pika e nisjes. Më e rëndësishmja ishte fitorja. Jam përgatitur për të qenë gati dhe falënderoj trajnerin dhe skuadrën për besimin”, u shpreh ai.

Tani sfida e vërtetë është të konfirmojë veten. Ai mund të përdoret në disa role, ndërsa si modele ka Xhovani Di Lorenzon, por edhe Zhoao Kanselon e Xhanluka Zambrotën. Favasuli nuk e fsheh as ëndrrën për kombëtaren, por për momentin mendja e tij është vetëm te Napoli.

Nga periferia e Kalabrisë deri në Champions dhe Serinë A, ai ka bërë gjithçka me punë, uri dhe përulësi. Tani ka edhe një asist që solli tri pikë. Dhe askush nuk duhet ta zgjojë nga kjo ëndërr.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat