Vllaznia pa fitore, ndizet alarmi në Shkodër

Futboll

Vllaznia pa fitore, ndizet alarmi në Shkodër

Më: 15 shtator 2026 Në ora: 16:38
Pamje nga ndeshja

Vetëm 2 pikë në katër javët e para të kampionatit. Për Vllazninë ky është një start shumë larg pritshmërive dhe dukshëm më i dobët se një sezon më parë, kur në të njëjtën fazë kishte grumbulluar 7 pikë.

Alarmi është ndezur në Shkodër.

Humbjet ndaj Laçit dhe Partizanit, të shoqëruara me dy barazime, kanë nxjerrë në pah një skuadër që nuk ka më sigurinë dhe soliditetin e sezonit të kaluar.

Merkatoja solli shumë largime dhe afrime, ndërsa trajneri Martini po mundohet të ndërtojë një grup të ri.

Megjithatë, puna e tij është vështirësuar edhe nga pezullimi i vendosur nga Komisioni i Disiplinës, që nuk e lejon të drejtojë ekipin nga stoli gjatë ndeshjeve.

Objektivi për titull, të paktën në këtë moment, duket më larg se sa ishte menduar, ndërsa nëse rezultatet nuk ndryshojnë shpejt, në diskutim mund të vihet edhe kualifikimi në Europë.

Diferencat në renditje janë ende të vogla, por koha nuk pret.

Ndeshja e radhës ndaj Teutës merr kështu një peshë të veçantë.

Një fitore do të sillte qetësi dhe besim, ndërsa më pas kampionati do të ndalet për shkak të angazhimeve të kombëtareve, me rikthimin e planifikuar rreth datës 10 tetor.

Një pauzë që mund t’i shërbejë Vllaznisë për të marrë frymë, për të konsoliduar grupin e ri dhe për t’i dhënë Martinit kohën e nevojshme që skuadra të gjejë identitetin dhe ritmin e munguar në këtë fillim sezoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat