Skuadra e Sionit ka triumfuar me rezultat 5:2 në konak të Grashoppersit, në ndeshjen e mbetur të javës së 4-të të elitës së futbollit zviceran.
Amir Abrashi, kapiten i Grasshoppersit, është i zhgënjyer me rezultatin.
“Pas rezultatit 2:1 nuk mbrojtëm më me konsekuencë dhe u treguam të shkujdesur.
Për momentin jam jashtëzakonisht i zemëruar.
Me rezultatin 5:2 duket brutal. Golat i pësuam shumë lehtë. I humbëm të gjitha duelet. Kështu do të jetë e vështirë. Nëse lëshon vetëm një për qind në intensitet, në Superligë nuk mjafton.
U ndëshkuam në mënyrë të pamëshirshme. Ishim tepër të sigurt në vete.
Pastaj, në mënyrë të pavetëdijshme, e ul intensitetin. Patëm humbje të panevojshme të topit. Është një proces mësimi. Nuk ishim të mirë as në zotërimin e topit. Përqendrimi ynë ra pas goditjes së dënimit që çoi në barazimin 2:2.
Sioni ka zëvendësues të shkëlqyeshëm dhe ne ishim vazhdimisht një hap prapa. Duhet të rikuperohemi mirë dhe t'i korrigjojmë gabimet tona. Kemi nevojë për të gjithë, përfshirë zëvendësuesit. Duhet të mbrohemi për 90 minuta, jo vetëm për 60”, ka thënë Abrashi, transmeton mediumi zviceran “Blick”.