Erling Haaland ka zbuluar sekretin pas aftësisë së tij për të shmangur pozicionin jashtë loje, pavarësisht numrit të madh të vrapimeve që bën pas shpinës së mbrojtjeve kundërshtare.
Sulmuesi norvegjez shënoi golin e fitores për Manchester Cityn në derbin ndaj Manchester Unitedit të dielën, në një ndeshje ku goli fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje, përpara se vendimi të ndryshohej dhe goli të pranohej.
“Zakonisht nuk jam në pozicion jashtë loje, ndaj fola me arbitrin Michael Oliver dhe i thashë se e mora pak personale faktin që mendoi se isha jashtë loje. Pastaj shikova nga Enzo, trajneri, dhe ai më dha një shenjë me gishtin e madh. Në njëfarë mënyre e kuptova se ishte gol, ndaj u përgatita për ta festuar”, ka treguar Haaland për “Sky Sports”.
Goli u konfirmua, ndërsa më vonë Pro Ref pranoi se zyrtarët nuk kishin evidentuar ndërhyrjen e Enzo Fernandezit nga një pozicion jashtë loje.
Megjithatë, rasti shërbeu për të nxjerrë në pah një statistikë të veçantë të Haalandit. Që prej transferimit te Manchester City në vitin 2022, vetëm 25 herë është kapur në pozicion jashtë loje në Premierligë, pavarësisht se është një prej sulmuesve që bën më shumë vrapime pas shpinës së mbrojtjeve.
Në fakt, që nga viti 2022, vetëm katër futbollistë kanë realizuar më shumë vrapime në thellësi se Haaland, i cili regjistron mesatarisht 9.5 të tilla për ndeshje.
“Ky nuk është sezoni i parë kur mezi jam kapur në pozicion jashtë loje. Mendoj se kjo ka nisur që kur isha 13 vjeç. Mundohem të qëndroj në pozicion të rregullt”, ka deklaruar norvegjezi.
Haaland ka shpjeguar se kjo aftësi është rezultat i shumë viteve stërvitje, që nga koha kur luante te klubi i tij i fëmijërisë, Bryne, në Norvegji.
Ai e sheh edhe përdorimin e VAR-it si një faktor që e ka ndihmuar në këtë aspekt.
“Nëse je jashtë loje me VAR-in, nuk ke asnjë shans. Nëse je vetëm pak në pozicion jashtë loje dhe ka një situatë të tillë, ka shumë gjasa që të mos jem jashtë loje”, ka shtuar Haaland.
Statistikat tregojnë se norvegjezi nuk shmang vrapimet pas mbrojtjes për të mos rrezikuar pozicionin jashtë loje. Përkundrazi, ai vazhdon të sulmojë hapësirat, por me një saktësi të jashtëzakonshme në momentin e nisjes së vrapimit.