Gary Lineker dhe Alan Shearer kanë analizuar problemet e Manchester Unitedit pas startit zhgënjyes të sezonit, duke vënë në pikëpyetje forcën e repartit ofensiv dhe disa prej vendimeve të trajnerit Michael Carrick.
“Djajtë e Kuq” kanë grumbulluar vetëm katër pikë në katër ndeshjet e para të Premierligës, me një fitore, një barazim dhe dy humbje. Humbja e fundit ndaj Manchester Cityt ka shtuar presionin mbi Carrickun, ndërsa Unitedi aktualisht renditet në vendin e 13-të.
Në podcastin “The Rest Is Football”, ish-sulmuesi i Anglisë, Gary Lineker, është shprehur i befasuar që Benjamin Sesko nuk po preferohet nga minuta e parë.
“Në sulm... duket se u mungon diçka. E kanë Benjamin Seskon në stol. Është e çuditshme. Ai hyn në lojë dhe ka shënuar në ndeshje, ndaj pyet veten pse nuk po merr një vend titullari”, ka deklaruar Lineker.
Ai ka analizuar edhe profilet e sulmuesve të tjerë të Unitedit.
“Cunha është më shumë një numër 10 sesa një nëntë, Mbeumo luan kryesisht nga krahu i djathtë, ndërsa Rashford është në të majtë.”
Lineker ka kritikuar gjithashtu kohën e reagimit të Carrickut për aktivizimin e Seskos.
“Vazhdimisht e shikoje ndeshjen dhe mendoje: ‘Nëse vendos dikë përpara, a do ta fusësh sulmuesin e gjatë?’. Ai e aktivizoi, por paksa vonë”, ka shtuar ai.
Edhe Alan Shearer ka shprehur dyshime për cilësinë e repartit ofensiv të Manchester Unitedit, sidomos në krahasim me skuadrat kryesore të kampionatit.
“Flitet se kanë përforcuar sulmin dhe mesfushën, por nuk e kanë përforcuar mbrojtjen. Nuk jam 100 për qind i bindur se janë aq të mirë në sulm. Mendoj se janë në rregull, janë të mirë. Por kur i krahason me shumë prej skuadrave të mëdha...”, ka thënë Shearer.
Manchester Unitedi do të ketë mundësinë për të reaguar sonte ndaj Brightonit në “Carabao Cup”, ndërsa katër ditë më vonë do të përballet me Fulhamin në Premierligë.
Dy rezultatet e ardhshme pritet të jenë të rëndësishme për Carrickun, i cili po përballet me presion pas fillimit të dobët të sezonit.