Futbollisti shqiptar Myrto Uzuni ka reaguar pas vendimit të marrë sot në Hagë lidhur me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Uzuni ka shprehur mbështetjen e tij për ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre, duke e cilësuar sakrificën e tyre si pjesë të historisë së Kosovës.
“Gjithçka e bëtë për atdheun, për lirinë dhe për popullin e Kosovës. Sakrifikuat rininë, familjet dhe jetën tuaj që brezat e ardhshëm të jetonin të lirë në tokën e tyre”, ka shkruar Uzuni.
Ai ka theksuar se, sipas tij, kjo histori është e lidhur me sakrificën dhe dhimbjen e një populli dhe nuk mund të fshihet.
“Ju jeni historia e këtij vendi! Kosova, Shqipëria nuk do t’ju harrojë kurrë”, vijon mesazhi i tij.
Uzuni ka bërë thirrje për unitet në këto ditë, duke shprehur solidaritet me të akuzuarit dhe familjet e tyre.
“Në këto ditë të vështira, qëndrojmë të bashkuar pranë jush dhe familjeve tuaja. Forcë dhe drejtësi!”, përfundon reagimi i futbollistit shqiptar.