Në ndeshjet e javës së tretë në Kategorinë e Parë, kanë dhuruar rezultate interesante që kanë ndryshuar edhe tabelën sa i përket renditjes së kampionatit.
Tani janë tre skuadra me nga 7 pikë që ndajnë kreun e tabelës, si pasojë e fitoreve të Besës e Pogradecit, ndërsa Korabi mori vetëm një barazim.
Pas krahëve të tyre me 5 pikë janë Iliria e Bylisi, të cilat gjithashtu nuk ia dolën të fitonin, ndërsa Kastrioti e Sopoti, me sukseset e sotme, kanë bërë një hap përpara, duke iu larguar fundit.
Kukësi mbetet me pikët e javës së parë pas disfatës në shtëpi me Pogradecin, ndërsa Flamurtari rrëshqet në zonën e ftohtë, pasi ka pësuar edhe humbjen e parë të edicionit, ashtu si edhe Burreli. Besëlidhja mori pikën e parë të sezonit me barazimin ndaj Bylisit, duke lënë vendin e fundit që tashmë i përket Orikut, i cili ka regjistruar vetëm humbje.