Sulmuesi i Glasgow Rangers, Ryan Naderi, pavarësisht përparimit gjatë muajve të fundit, me sa duket nuk do të luajë për Gjermaninë. Sipas raportimit të “Bild”, futbollisti 23-vjeçar i klubit skocez është pranë ftesës në kombëtaren e Çekisë.
“Thuhet se Naderin e ka kontaktuar tashmë drejtori sportiv i Federatës Çeke të Futbollit, Pavel Nedved, ndërsa sulmuesi i Rangers nuk ka dashur ta refuzojë një ftesë nga një figurë e tillë e madhe e futbollit.
Naderi ka lindur në Dresden, ndërsa nëna e tij është çeke dhe babai bullgar. Federata Bullgare e Futbollit kishte tentuar më herët ta angazhonte, por Naderi i kishte refuzuar ftesat, pasi është më i interesuar të luajë për Çekinë.
Që Naderi të mund të luajë me fanellën e Çekisë, fillimisht duhet të aplikojë për pasaportë çeke. Për shkak të kësaj procedure, ende nuk është plotësisht e qartë nëse ai do të ketë të drejtë të luajë në ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve kundër Kroacisë, Anglisë dhe Spanjës”, ka shkruar mediat kroate “Index”.
Megjithatë, ekziston mundësia që ai të debutojë më 15 nëntor të këtij viti në Osijek, ku Çekia do të luajë kundër Kroacisë në xhiron e fundit të Ligës së Kombeve. Ndeshja fillon në ora 20:45.
Karrierën profesionale e filloi në vitin 2024 te Hansa Rostock, për të cilën në 45 paraqitje në ligën e tretë gjermane shënoi 13 gola dhe dha 9 asistime.
Ai është 194 centimetra i gjatë dhe luan në pozitën e sulmuesit klasik qendror.
Dimrin e kaluar u transferua te Rangers për 5.5 milionë euro, që ishte një shumë rekord për një transferim nga liga e tretë.
Që nga transferimi, ai ka luajtur 21 ndeshje, duke shënuar 6 gola dhe duke regjistruar po aq, 6 asistime.
Fundjavën e kaluar u dallua në derbin e madh kundër Celtic, ku asistoi për një gol dhe mori pjesë në aksionin që çoi te goli i dytë, në fitoren 3:0 të skuadrës së tij.