Ish-trajneri i Real Madridit prezantoi sot listën e tij të parë si përzgjedhës i “Gjelave”, për ndeshjen ndaj Belgjikës më 5 tetor në “Stade de France”, por krahas kësaj vendosi edhe rregulla të reja për marrëdhënien me gazetarët.
Në dallim nga periudha 14-vjeçare e Didier Deschamps, Zidane ka vendosur që kamerat televizive të mos lejohen në sallën e shtypit gjatë prezantimit të listës dhe konferencës pasuese. Këto aktivitete do të transmetohen ekskluzivisht përmes kanaleve zyrtare të Federatës Franceze të Futbollit (FFF).
Një tjetër ndryshim lidhet me mbërritjen e futbollistëve në qendrën stërvitore në Clairefontaine. Nuk do të zhvillohet më parada tradicionale e lojtarëve para mediave, moment që në të kaluarën shpesh ishte kthyer në temë diskutimi për veshjet dhe paraqitjen e tyre.
FFF do të marrë gjithashtu përgjegjësinë kryesore për prodhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve video nga grumbullimi, me synimin për të kontrolluar më nga afër materialet që publikohen për kombëtaren.
Megjithatë, gazetarët do të kenë qasje në zonat e përziera gjatë ditëve të para të grumbullimit, duke ruajtur një pjesë të komunikimit direkt me futbollistët.
Zidane, ndërkohë, nuk planifikon të japë asnjë intervistë gjatë gjithë pushimit ndërkombëtar, duke vazhduar qasjen e tij të rezervuar ndaj mediave.