Maresca para ndeshjes me Sunderlandin: Nëse nuk fitoj, do të jetë një katastrofë

Futboll

Maresca para ndeshjes me Sunderlandin: Nëse nuk fitoj, do të jetë një katastrofë

Më: 18 shtator 2026 Në ora: 18:25
Enzo Maresca

Trajneri i Manchester Cityt, Enzo Maresca, e di mirë se rezultatet do të jenë vendimtare për të ardhmen e tij në “Etihad”, pavarësisht startit të shkëlqyer të sezonit.

Italiani mori përsipër detyrën e vështirë për të zëvendësuar Pep Guardiolën, i cili gjatë një dekade në krye të Cityt fitoi 20 trofe.

Pas humbjes ndaj Arsenalit në “Community Shield”, Maresca ka regjistruar gjashtë fitore radhazi në tri gara të ndryshme.

Fitorja më e bujshme erdhi fundjavën e kaluar, kur City mposhti 1-0 Manchester Unitedin në derbin lokal, edhe pse luajti për më shumë se një orë me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të hershëm të Phil Fodenit.

“E kam thënë në konferencën e parë për shtyp se për mua të jem në këtë klub është privilegj. Të jesh këtu pas një legjende si Pep është gjithashtu privilegj. E di se nëse nuk fitoj, do të jetë katastrofë, dhe kjo është normale. Por nuk e kaloj ditën duke menduar se kush ishte këtu para meje dhe për sa vite”, tha Maresca para ndeshjes ndaj Sunderlandit.

Maresca theksoi se fokusi i tij është vetëm te puna dhe ndeshja e radhës.

“Jam këtu për t’u fokusuar te ajo që mund të bëjmë më mirë, ta përmirësojmë ekipin dhe të përpiqemi të fitojmë ndeshjet. Jam shumë i lumtur me këto pesë apo gjashtë ndeshje radhazi, por tani fokusi kryesor është vetëm te ndeshja e radhës”, u shpreh trajneri.

Maresca pati mundësinë t’u japë pushim disa prej titullarëve në fitoren 5-0 ndaj Norwichit në Ligën e Kupës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat