Zhvillim i papritur për Granit Xhakën – autoritetet zvicerane hapin procedurë

Futboll

Zhvillim i papritur për Granit Xhakën – autoritetet zvicerane hapin procedurë

Nga: bota sot Më: 18 shtator 2026 Në ora: 22:29
Granit Xhaka

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, është përfshirë në një procedurë penale të hapur nga Prokuroria e Lucernit, lidhur me një certifikatë vaksinimi kundër Covid-19. Futbollisti shqiptar i kundërshton dyshimet dhe ka paralajmëruar bashkëpunim të plotë me autoritetet.

Sipas raportimeve të mediave zvicerane, autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse në rastin e Xhakës ka pasur ndonjë veprim me rëndësi penale që lidhet me sigurimin e mundshëm të një dokumenti të pasaktë ose me falsifikim dokumentesh.

Në qendër të hetimeve ndodhet edhe një mjeke nga kantoni i Lucernit. Ajo dyshohet se gjatë pandemisë mund të ketë lëshuar vërtetime vaksinimi pa u kryer vaksinat përkatëse.

Praktika e mjekes ishte kontrolluar nga policia që në vitin 2023, kur ishin sekuestruar materiale për shqyrtim. Rasti i Xhakës është ndër çështjet që tani po analizohen më hollësisht nga prokuroria.

Megjithatë, hapja e procedurës nuk nënkupton se dyshimet janë vërtetuar dhe ndaj Xhakës nuk është ngritur aktakuzë.

Përfaqësuesit e futbollistit i kanë hedhur poshtë pretendimet. Zëdhënësi i tij ka bërë të ditur se Xhaka do të vihet plotësisht dhe me transparencë në dispozicion të autoriteteve.

Sipas palës së futbollistit, ekziston edhe një konfirmim nga mjekja trajtuese, sipas të cilit kapiteni i Zvicrës është vaksinuar rregullisht kundër Covid-19. Edhe mjekja e përfshirë në hetime i kundërshton dyshimet dhe pretendon se vaksinimi është kryer.

Mediat zvicerane raportojnë se Xhaka pritet të paraqitet para autoriteteve në fillim të tetorit. Deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e ndonjë vendimi juridik, për të dhe mjeken vlen prezumimi i pafajësisë.

Xhaka është një nga futbollistët më të njohur zviceranë dhe mban shiritin e kapitenit si te përfaqësuesja e Zvicrës, ashtu edhe te Sunderlandi.

Rasti është raportuar fillimisht nga mediat zvicerane, ndërsa më pas është përcjellë edhe nga SRF dhe gazeta gjermane “Bild”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat