Pauza e kombëtareve i jep “një dorë” Vllaznisë

Futboll

Pauza e kombëtareve i jep “një dorë” Vllaznisë

Më: 19 shtator 2026 Në ora: 22:45
Vllaznia

Teksa po i drejtohemi pauzës për ndeshjet e kombëtareve, kur kanë mbetur dhe katër ndeshjet për të dhënë verdiktin e javës së pestë në “Abissnet Superiore”, Vllaznia mund të përfitojë nga ky moment për të zgjidhur “ngërçin” që po kalon me mungesën e rezultateve.

Shkodranët u mposhtën në “Loro Boriçi” nga Teuta me rezultatin 0-2 dhe momentalisht, kuqeblutë mbajnë vendin e fundit në klasifikimin e përgjithshëm, me vetëm dy pikë të fituara në pesë javë.

Sigurisht, nisur nga pretendimet që kanë te Vllaznia për titullin që mungon prej 25 vitesh, në kampin shkodran prisnin një ecuri më të mirë nga ajo çfarë po kalojnë sot.

Mirëpo, fusha ka treguar një tjetër realitet. Edhe vetë zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Ergi Borshi, u shpreh se “djemtë” po kalojnë një “malore” psikologjike, çfarë nënkupton se në fushë, mungon morali për të hedhur pas krahëve momentin e keq.

Pauza e kombëtareve që zgjat tre javë vjen në kohën e duhur për Vllazninë që i duhet të zgjidhë problemet që nuk po lënë të “ngre kokë”. Mes shumë çështjesh që ende “gëlojnë” në kampin e Shkodrës, ajo çfarë vlen është ringritja e këtij ekipi që u nis me të tjera ambicie. Koha është në “dorën” e Vllaznisë.

Fitorja është e vetmja “tabelë” ku mund të  kthejnë përmbysë “tablonë” e Superiores, së paku për shkodranët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat