Skuadra shqiptare, Otrant Olimpik nga Ulqini, është lider i Kampionatit të Malit të Zi.
Në javën e 9-të të MeridianBet Ligës së Parë të Malit të Zi, Otrant Olimpik e mposhti Jezeron me rezultat 4:1.
Deçiçi barazoi me Mornarin 1:1, ndërsa Bokeli SBBet mposhti Mlladost Lob.Bet 3:0.
Është përmbyllur cikli i parë i kampionatit malazez, me nëntë javë të zhvilluara, dhe në krye të tabelës në pushimin e kombëtareve shkon Otrant-Olimpik.
“Skuadra nga Ulqini është befasia më e këndshme e këtij fillimi të kampionatit. Sot, në fushën e vet, mposhti Jezeron 4:1 dhe mori kreun e tabelës.
Otrant kaloi në epërsi që në minutën e tretë, kur Valentin Rudoviq shënoi nga penalltia. Jezero barazoi vetëm tri minuta më vonë përmes Milivoje Raiçeviqit.
Në pjesën e dytë, ekipi i trajnerit Milija Savoviq i dha fund shpejt çdo dileme. Srgjan Krstoviq shënoi në minutën e 51-të për 2:1, ndërsa në minutën e 60-të Petar Vukoviq realizoi për 3:1.
Rezultatin përfundimtar 4:1 e vendosi sërish Rudoviq, me golin e tij në minutën e 82-të”, ka shkruar media malazeze “Vijesti”.
Në vendin e dytë është Deçiqi, i cili në shtëpi barazoi me Mornarin 1:1. Mysafirët nga Tivari kaluan në epërsi në minutën e 40-të me golin e Susit, ndërsa Deçiçi arriti barazimin në minutën e 80-të falë Jovan Mugoshës.
Otrant Olimpik kryeson me 16 pikë, pason skuadra tjetër shqiptare Deçiqi me 15, Bokeli 15, Buduçnosti 14, Mornari 13, Sutjeska 11 pikë etj.