Inter Miami, kampion në fuqi i MLS-së, e ka nisur në mënyrën më të keqe fazën e plejofit, duke pësuar një humbje të thellë 3:0 në ndeshjen e parë ndaj Columbus Crew.
Megjithatë, përveç rezultatit të rëndë, vëmendje të madhe tërhoqi edhe nervozizmi i yllit të skuadrës, Lionel Messi.
Kapiteni argjentinas nuk arriti ta ndihmonte ekipin e tij dhe dukshëm shfaqi pakënaqësi gjatë takimit. Në fund të pjesës së parë, gjatë një rivënieje anësore, Messi goditi qëllimisht me top në fytyrë futbollistin Gonzalo Tapia.
Pavarësisht këtij veprimi, gjyqtari e ndëshkoi Messin vetëm me karton të verdhë, duke mos e përjashtuar nga loja. Edhe Tapia u ndëshkua me karton të verdhë.
Gonzalo Tapia u bë një nga protagonistët kryesorë të fitores së Columbus Crew, duke realizuar dy gola.
Fillimisht, ai shënoi nga penalltia në minutën e 9-të, ndërsa golin e dytë personal e realizoi në minutën e 58-të.
Ndërmjet dy golave të kilianit, në minutën e 52-të, rrjetën e gjeti edhe Taha Habroune, duke vulosur fitoren 3:0 të Columbus Crew.
Situata për Inter Miamin u vështirësua edhe më shumë në minutën e 36-të, kur Gonzalo Lujan u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja. Kështu, skuadra nga Florida vazhdoi ndeshjen me një lojtar më pak.
Me këtë humbje, Inter Miami ndodhet përballë një situate shumë të vështirë në plejof, por ende ka mundësi të vazhdojë garën përmes ndeshjeve të radhës.