Drejtori i Kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka folur për situatën e Granit Xhakës dhe largimin e tij nga grumbullimi i përfaqësueses helvetike.
Xhaka, i cili ishte ftuar nga trajneri Murat Yakin, u largua nga grumbullimi pas pranimit se kishte përdorur një certifikatë të falsifikuar të vaksinimit kundër COVID-19. Për këtë rast ai pritet të përballet edhe me drejtësinë.
Në konferencën për media, Tami u pyet edhe nëse kishte ndonjë lidhje mes kësaj situate dhe mbështetjes së fundit të Xhakës për ish-krerët e UÇK-së, të dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Drejtori i Zvicrës tha se qëndrimi i Xhakës për këtë çështje është privat dhe nuk ka lidhje me Kombëtaren.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt; ai mori vendimin për t’u bërë publik po aq shpejt. Nuk ishte e lehtë për të të ndërmerrte këtë hap. Kjo ishte një çështje private. Shoqata Zvicerane e Futbollit (SFV) nuk lëshoi asnjë direktivë vaksinimi. Ekipi kombëtar nuk ka të bëjë fare me këtë. Mbështetja e tij për presidentin e dënuar të Kosovës është gjithashtu një çështje private”, deklaroi Tami.
Kështu, sipas drejtuesit të përfaqësueses zvicerane, qëndrimi i Xhakës për ish-krerët e UÇK-së nuk është çështje që lidhet me vendimet e Kombëtares së Zvicrës.