Lewandowski u befasua gjatë konferencës për shtyp: Jam në shok

Futboll

Lewandowski u befasua gjatë konferencës për shtyp: Jam në shok

Më: 22 shtator 2026 Në ora: 19:19
Lewandowski

Futbollisti Robert Lewandowski përjetoi një befasi të madhe gjatë konferencës për shtyp të kombëtares së Polonisë.

Konferenca u mbajt para fillimit të ciklit të ri të Ligës së Kombeve, ndërsa Poloninë të premten e pret ndeshja në shtëpi kundër Bosnjë dhe Hercegovinës.

Fillimisht, Lewandowski pranoi kërkimfaljen e një gazetari për një informacion të pasaktë. Më pas kujtoi një nga ndeshjet më të mëdha të karrierës së tij dhe, në fund, mbeti plotësisht i habitur nga statistikat rreth gjendjes fizike të fëmijëve në Poloni.

Një gazetar i tha:

“Në fillim, një kërkimfalje e madhe. Gabova kur shkrova se planifikoje të vije në grumbullimin e kombëtares vetëm për një ndeshje dhe më pas të ktheheshe menjëherë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nxitova”.

Lewandowski u përgjigj me buzëqeshje:

“Sinqerisht, është hera e parë në jetën time që dëgjoj një pyetje që fillon me një kërkimfalje.

Mendoj se kjo nuk ka ndodhur më parë në gazetarinë polake, kështu që bravo. Duhet të kesh aftësi për ta pranuar gabimin.”

Ai më pas bëri edhe shaka, duke shtuar se një plan i tillë nuk kishte ekzistuar kurrë dhe se informacioni i pasaktë ishte korrigjuar shumë shpejt.

Gjatë konferencës, Lewandowskit iu kujtua se pikërisht më 22 shtator ishte përvjetori i 11-të i ndeshjes legjendare të Bayern Munihut kundër Wolfsburgut, kur ai shënoi pesë gola në vetëm nëntë minuta.

“Pikërisht sot? Saktësisht 11 vjet? Dy gjëra më kalojnë nëpër mendje – koha vërtet fluturon dhe zemra më ngrohet kur e kujtoj atë moment. Vetëm me kalimin e kohës e kuptova se sa arritje e pabesueshme ishte dhe sa shumë është mbajtur mend. Në atë moment nuk e ndjeja kështu.”

Lewandowski këtë verë e mbylli aventurën e tij te Barcelona dhe në futbollin evropian, duke kaluar te Chicago Fire, por ende nuk po mendon për pensionimin nga kombëtarja e Polonisë.

Trajneri i Polonisë, Jan Urban, ka thënë se kapiteni do të vendosë vetë se kur do ta përfundojë karrierën me kombëtaren.
Lewandowski thotë se as vetë nuk e ka ende përgjigjen.

“Për vite me radhë kam pasur dilema të ndryshme. Edhe sot zhvilloj një dialog të brendshëm me veten, ndërsa ju vazhdimisht më pyesni se kur do të vijë ai moment. Nuk do të mund të jap kurrë një përgjigje konkrete. Po flasim për 18 vite të luajtura me kombëtaren dhe për shëndetin që kam lënë në fushë. Do të jetë një nga vendimet më të vështira të jetës sime. Do të më duhet ta ndiej me zemër.”

Ai shtoi se ende ka motivim të jashtëzakonshëm për të luajtur.

“Nuk është e lehtë të jesh për kaq shumë vite në nivelin më të lartë dhe papritur t’i thuash vetes: mjaft. Etja për fitore ende më shtyn përpara. Gjithmonë kam dashur të dëshmoj se mund të bëj më shumë dhe prandaj shkova në Chicago. Atje po zhvillohem si njeri dhe po njoh gjëra që në Evropë nuk mund t’i njihja. Pasioni për futbollin nuk është zhdukur. Zjarri nuk është fikur.”

Konferenca përfundoi me një pyetje nga një gazetar i portalit Meczyki, i cili i tregoi Lewandowskit rezultatet e një studimi të doktor Bartosz Molik mbi gjendjen fizike të fëmijëve në Poloni.

Rezultatet ishin shqetësuese: 86% e fëmijëve nga 6 deri në 12 vjeç nuk dinë ta përplasin siç duhet topin në mur dhe ta kapin atë. Më shumë se 80% e fëmijëve nuk kryejnë as një orë aktivitet fizik në ditë.
Lewandowski mbeti pa fjalë. Vuri duart në kokë, mori frymë thellë dhe kërkoi që shifrat t’i përsëriteshin.

“Rezultate dramatike. Jam në shok. Jam në shok. Jam në shok.”

Kapiteni i Polonisë tha se këto të dhëna e tronditën jo vetëm për shkak të sportit, por edhe për shkak të shëndetit të fëmijëve:

“Kjo duket e tmerrshme. Nuk e dija se situata ishte kaq e keqe.

Nuk po flas vetëm për sportin, por për mënyrën se si ndihemi si shoqëri. Sporti është shëndet.

Sporti ndikon në qëndrimin tonë, mënyrën e të menduarit dhe gjendjen e përgjithshme të organizmit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat