​Avdyli: Kemi lojtarë që mund ta bëjnë dallimin

Futboll

​Avdyli: Kemi lojtarë që mund ta bëjnë dallimin

Më: 23 shtator 2026 Në ora: 09:17
Milot Avdyli

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar të martën stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e parë ndaj Irlandës, në Grupin B3 të Ligës së Kombeve.

Seanca është zhvilluar në Kampin Nacional në Hajvali, ku përzgjedhësi Franco Foda ka pasur në dispozicion të gjithë 27 futbollistët e grumbulluar për katër ndeshjet e para të këtij edicioni.

Stërvitja është zhvilluar me intensitet të lartë, me fokus të veçantë në përgatitjet taktike dhe teknike për sfidën ndaj Irlandës. Futbollistët kanë treguar angazhim maksimal dhe motivim të lartë në prag të ndeshjes së parë.

Në këtë grumbullim, me Kombëtaren A janë për herë të parë Milot Avdyli, Erblin Osmani dhe Dion Kaçuri.

Avdyli, i cili më parë ka qenë kapiten i Kombëtares U21 të Kosovës dhe aktualisht është pjesë e Celjes së Sllovenisë, ka shprehur kënaqësinë për mundësinë që t’i bashkohet ekipit A.

“Kam qenë në të gjitha gjeneratat dhe është një ndjenjë e papërshkrueshme të luaj për Kombëtaren A. Shpresoj ta tregoj veten dhe të kemi katër ndeshje të mira”, ka thënë Avdyli.

Ai ka vlerësuar edhe pritjen që i është bërë në Kombëtare, duke theksuar se bashkë me dy debutuesit e tjerë janë ndjerë mirë që nga dita e parë.

“Pritja ka qenë mjaft e mirë. Disa i kam njohur nga e kaluara. Pritja ka qenë e mirë për mua dhe për dy lojtarët e tjerë. Jemi shumë të lumtur”, është shprehur Avdyli.

Futbollisti i Celjes pret rezultate pozitive nga katër ndeshjet e para, duke u bazuar në potencialin që posedon Kosova.

“Besoj se do të kemi rezultate pozitive, marrë parasysh ekipin që kemi. Kemi lojtarë të rinj dhe me eksperiencë që mund ta bëjnë dallimin. Shpresoj t’i fitojmë ndeshjet”, ka thënë ai.

Kosova dhe Irlanda do të përballen në ndeshjen e parë të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, ndërsa “Dardanët” synojnë ta nisin me rezultat pozitiv ciklin e ri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat