​Federata irlandeze këshillon tifozët: Kujdes me flamujt dhe ndiqni udhëzimet e policisë

Futboll

​Federata irlandeze këshillon tifozët: Kujdes me flamujt dhe ndiqni udhëzimet e policisë

Më: 23 shtator 2026 Në ora: 10:10
Tifozë

Federata e Futbollit të Irlandës (FAI) ka publikuar udhëzime të detajuara për tifozët irlandezë që do të udhëtojnë në Prishtinë për ndeshjen ndaj Kosovës, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Në njoftimin e publikuar më 22 shtator, FAI u ka bërë thirrje tifozëve që të mbërrijnë herët në stadium, për shkak të kontrolleve të sigurisë dhe procedurave të hyrjes.

Federata irlandeze ka bërë të ditur se stadiumi “Fadil Vokrri” ndodhet në qendër të Prishtinës dhe ka kapacitet prej afro 13 mijë spektatorësh. Tifozëve u është kërkuar që biletat t’i kenë në format digjital ose të printuar, ndërsa para hyrjes mund t’u kontrollohet identiteti nga policia lokale ose sigurimi i stadiumit.

FAI u ka rekomanduar tifozëve irlandezë që të kenë në telefon një fotografi ose skanim të pasaportës. Po ashtu, është bërë e ditur se në stadium nuk do të ketë ambiente për ruajtjen e çantave dhe se lejohen vetëm çanta të vogla.

Sa i përket transportit, federata irlandeze ka informuar tifozët se Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” është aeroporti kryesor për të udhëtuar drejt Prishtinës, ndërsa si alternativë është përmendur Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, ndonëse me lidhje të kufizuara me Prishtinën.

FAI ka përmendur edhe transportin publik nga aeroporti drejt qendrës së Prishtinës, ndërsa ka theksuar se taksitë dhe shërbimet lokale të transportit janë lehtësisht të qasshme. Në njoftim përmenden aplikacionet Nisu dhe eTaxi, ndërsa tifozët janë paralajmëruar se Uber dhe Bolt nuk operojnë në Kosovë.

Federata irlandeze ka konfirmuar gjithashtu se ndeshja është shitur e gjitha dhe u ka bërë thirrje tifozëve që të mos blejnë bileta nga burime të paautorizuara.

Në pjesën për sigurinë, FAI e ka përshkruar Prishtinën si qytet përgjithësisht të sigurt dhe mikpritës për tifozët udhëtues, duke u rekomanduar atyre të kenë kujdes me sendet personale në zonat e mbushura me njerëz.

Në fund, tifozëve irlandezë u është kujtuar se nuk u nevojitet vizë për të hyrë në Kosovë dhe u është kërkuar të ndjekin udhëzimet e policisë, kujdestarëve dhe stafit të stadiumit.

FAI ka dhënë edhe një këshillë të veçantë lidhur me simbolet kombëtare, duke u bërë thirrje tifozëve që të mos shfaqin flamuj të vendeve të tjera të rajonit, aktualë apo historikë.

Kosova dhe Irlanda përballen të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat