Trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka vlerësuar zhvillimin e madh që ka bërë Kosova në futboll, duke thënë se “Dardanët” tashmë kanë lojtarë cilësorë që luajnë në ekipe të njohura evropiane.
Në konferencën për media para ndeshjes të së enjtes ndaj Kosovës, Hallgrimsson ka thënë se Irlanda fillimisht nuk e ka njohur shumë mirë përfaqësuesen kosovare, por me kalimin e kohës ka krijuar një pasqyrë më të qartë për cilësitë e saj.
Hallgrimsson: Kosova ka bërë zhvillim të madh të futbollit
“Ne fillimisht nuk e kemi njohur Kosovën aq shumë, por kemi shkuar duke e njohur gjithnjë e më shumë. Më kujtohet loja kundër Islandës ku Kosova ka pasur një paraqitje jashtëzakonisht të mirë, e dimë të gjithë që Kosova ka pasur një ngritje shumë të madhe nga viti 2016 kur ka qenë e renditur e 190-ta dhe pastaj shumë shpejtë është ngritur në vendin e 78. Ka bërë një zhvillim shumë të madh të futbollit, ka lojtar shumë të mirë individual të cilët luajnë në top ekipe ndërkombëtare”, tha Hallgrimsson.
Në veçanti, trajneri islandez i Irlandës ka veçuar sulmuesin kosovar Vedat Muriqi, të cilin e konsideron rrezikun kryesor për skuadrën e tij.
Hallgrimsson: Të kemi kujdes me Muriqin
“Sigurisht se lojtari të cilit duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje është padyshim Vedat Muriqi, një lojtar i cili ka shënuar numër jashtëzakonisht të madh të golave në La Liga dhe nëse nuk gaboj tani në fundjavën e kaluar realizoi katër gola me Fenerbahcen. Më kujtohet performanca e tij kundër Islandës ku në atë rast ai e çmontoi Islandën, por ka edhe lojtarë të tjerë të mirë si Asllani, një lojtarë me shkathtësi të jashtëzakonshme, vrapues i jashtëzakonshëm dhe inteligjent”, u shpreh Hallgrimsson.
Hallgrimsson ka pranuar se Irlanda do të ishte e kënaqur edhe me një barazim në përballjen që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Hallgrimsson: Do të ishim të kënaqur me barazim
“Padyshim se do të jetë ndeshje e vështirë, të gjithë ne e dimë, e kemi diskutuar me lojtarët në parapërgatitjet tona. Pasi është ndeshja e parë tani, një barazim do të ishte pozitive për ne pasi që e konsiderojmë ndeshje të vështirë si mysafirë për ne, mirëpo lojtarët janë të gjithë të gatshëm dhe jemi të fokusuar në këtë përballje plotësisht”, theksoi tutje Hallgrimsson.
Trajneri i Irlandës ka folur edhe për atmosferën që pritet të krijohet në “Fadil Vokrri”, duke e ditur mbështetjen e madhe që Kosova e ka nga tifozët e saj. Ai ka vlerësuar se kjo përballje do të zhvillohet në një ambient me shumë emocione, pasi përfaqësuesja kosovare pritet të ketë përkrahje të madhe nga tribunat.
Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të jetë i mbushur me tifozë, të cilët do t’i japin Kosovës mbështetje të fuqishme në ndeshjen hapëse të edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Atmosfera në Prishtinë pritet të jetë një tjetër element me të cilin Irlanda do të duhet të përballet në duelin e së enjtes.
Kosova dhe Irlanda përballen të enjten në “Fadil Vokrri”, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.