Ditmar Bicaj foli në Klan News, për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku Shqipëria do të përballet me Bjellorusinë, Finlandën dhe dy herë me San Marinon.
Sipas tij, trajneri Rolando Maran është i avantazhuar sepse e ka nisur aventurën në qershor me dy miqësore.
Bicaj deklaroi se Bjellorusia nuk duhet nënvlerësuar, pasi në ndeshjet e fundit ka arritur rezultate pozitive.
“Mbizotëron optimizmi në grumbullim, sidomos tani që fillojnë garat në Ligën e Kombeve, ndryshe nga ndeshjet e qershorit që ishin vetëm në kuadrin e takimeve miqësore dhe shumica e futbollistëve donin thjesht sa për t’i mbaruar, sepse kishin pushime përpara.
Mendoj se tani janë të gjithë në garë për një vend në 11-shen kryesore. Me ardhjen e teknikut Maran, mendoj se do ketë rotacione si në listën e zgjedhjes së futbollistëve, por edhe në 11-shen që do startojë në takimin me Bjellorusinë. Pra, ai do të mundohet t’i implementojë idetë e tij të futbollit sulmues, të paktën duke iu referuar ditës së parë në prezantimin që ka pasur në shtëpinë e futbollit në praninë e presidentit Duka, ku tha se do të mundohet të bëjë një futboll sulmues, për të kënaqur tifozët.
Unë mendoj se sado që kërkojmë të ketë ekip sulmues, është në varësi të kundërshtarit që ke përballë. Në qoftë se flasim për Bjellorusinë, nuk është një ekip për t’u nënvlerësuar. Në gjashtë takimet e fundit ka pasur rezultate shumë pozitive, ka barazuar me Greqinë dhe me Danimarkën. Pavarësisht problemeve që ka në politikë, te ekipi kombëtar këto nuk ndihen dhe kanë futbollistë jashtëzakonisht cilësorë, mbi të gjitha të bazuar tek aspekti fizik. Po, me kundërshtarët e nivelit tonë mendoj se do të bëjmë një futboll sulmues.
Në futboll nuk ka të pazëvendësueshëm. Ne mund të përmendim Jasir Asanin, i cili me eurogolat e tij na dërgoi në Europian. Por specifika e Kombëtares bën që kur një ose dy takime nuk je në formën tënde më të mirë, mund të prekesh direkt. Janë shumë pak ndeshje dhe duhet të jesh gjithmonë në formën më të mirë. Mendoj se është një risi ftesa për një futbollist shumë të ri, Samuele Sina, që vjen nga Seria C, dhe jam kurioz për ta parë, megjithëse jam pak skeptik për Serinë C, sepse mendoj se është një ligë e dobët. Për Keriotën ndryshe, ka bërë shumë mirë me ekipin skocez të Hearts. Është një futbollist shumë dinamik, eksploziv, jo shumë shtatlartë, por kur ka topin në këmbë bën diferencën.
Maran është pak i avantazhuar, ka pasur kohë ta fillojë me ndeshjen miqësore dhe ka kohën e tij për të vënë pikat mbi “i”, kështu që do të ndihet dora e tij te ekipi kombëtar”, deklaroi ai.
Bicaj u ndal dhe te skema, duke thënë se pret që Maran të luajë me rreshtimin 4-3-3. Po ashtu ai theksoi se Finlandën e sheh si kundërshtarin më të vështirë, duke thënë se do të ishte i lumtur edhe me një barazim në transfertë.
“Diferenca do të zgjidhet nga cilësia që kemi ne në përbërje. Kemi futbollistë më cilësorë sesa Bjellorusia, por ata bazohen tek forca e grupit dhe duelet fizike. Kërkohet kreativitet dhe që sulmuesit apo wingrat të krijojnë superioritet numerik në një kundër një. Presioni është nga ana jonë, por me cilësitë dhe optimizmin që kemi, do t’ia dalim ta fillojmë mbarë. Unë pres një skemë 4-3-3 në këtë takim, e cila i jep më shumë kreativitet skuadrës. Për krahun e majtë ka alternativa, është Seferi, po ashtu edhe Kerjota. Në majë është Daku. Mund të kemi një 4-2-3-1 ose në 4-4-2 të pastër. Mesa kam parë në stërvitje, Maran do e fillojë me një 4-3-3.
Rikthimi i Etrit Berishës pas largimit të Silvinjos është momenti i duhur. Berisha ka personalitet dhe ka kontribuar shumë në ekip. Unë kam qenë kundër që të lihej jashtë. Si duket marrëdhëniet me Silvinjon kanë kaluar në personale.
Takimi më i vështirë normalisht është Finlanda në transfertë. Finlanda ka pasur një progres jashtëzakonisht të madh dhe do të jem i kënaqur me një barazim atje, sepse është ekip shumë fizik dhe do të vijë pas një konsumi fizik nga ndeshjet e mëparshme të Shqipërisë. Unë uroj të shkojmë me dy fitore nga dy ndeshjet e para për të parë forcën e vërtetë të këtij grupi”, deklaroi Bicaj..