FC Kosova Dusseldorf pret me entuziazëm Rot-Weiss Essen: Një moment historik për klubin tonë

Futboll

FC Kosova Dusseldorf pret me entuziazëm Rot-Weiss Essen: Një moment historik për klubin tonë

Nga: K. Goca Më: 25 shtator 2026 Në ora: 10:59
Adrian Krasniqi

FC Kosova Dusseldorf ka marrë një short të jashtëzakonshëm në 1/8 e finales së Niederrheinpokal.

Klubi shqiptar nga Dusseldorfi do të përballet me Rot-Weiss Essen, nëse ky ekip e kalon pengesën e fundit ndaj Sportfreunde Broekhuysen, ka shkruar media gjermane “Reviersport”.

Vendimi përfundimtar se kush do të jetë kundërshtari i FC Kosova Düsseldorf pritet të merret të shtunën, më 26 shtator.

Për klubin nga Dusseldorfi, përballja me skuadrën e kategorisë së tretë gjermane do të ishte një nga ndeshjet më të mëdha në historinë e tij.

Drejtori sportiv i FC Kosova Dusseldorf, Adrian Krasniqi, e ka pritur me entuziazëm shortin.

“Çfarë shorti! Klubi ynë përballet në Kupë me Rot-Weiss Essen, një klub me traditë të madhe dhe një skuadër profesioniste. Për ne, si klub që luan tri liga më poshtë, ky është një moment shumë i veçantë.”

Krasniqi shtoi se pret që Rot-Weiss Essen ta kalojë me sukses ndeshjen ndaj Broekhuysenit.

Rruga e FC Kosova Düsseldorf drejt 1/8 së finales nuk ka qenë e lehtë.

Në raundin e parë, skuadra shqiptare eliminoi ekipin e Oberligës, SV Scherpenberg, me rezultat 2:1 pas vazhdimeve.

Në raundin e dytë erdhi një tjetër sukses i madh. FC Kosova fitoi 5:3 ndaj SG Schönebeck në Essen.

Tash në rrugë është një kundërshtar edhe më i fortë, por këtë herë ndeshja do të zhvillohet me FC Kosova si vendas.

“Gëzimi te skuadra, në të gjithë klubin dhe te sponsorët tanë është jashtëzakonisht i madh.

Kjo ndeshje është shumë më tepër se një duel i Kupës. Është një mundësi e madhe për zhvillimin, imazhin dhe njohjen e mëtejshme të klubit tonë”, tha Krasniqi.

Fakti që FC Kosova është vendas e bën përballjen edhe më të veçantë. Megjithatë, ende nuk është vendosur se ku do të zhvillohet ndeshja.

“Fakti që kemi avantazhin e fushës sonë e bën gjithçka edhe më të veçantë. Ku do të zhvillohet saktësisht ndeshja, do ta shqyrtojmë me qetësi gjatë javëve të ardhshme”, deklaroi drejtori sportiv.

Krasniqi bëri të ditur se klubi dëshiron të kontaktojë edhe me Rot-Weiss Essen për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të dyja palët. Një mundësi është që ndeshja të zhvillohet edhe në stadiumin Hafenstraße, në Essen.

Një tjetër veçori e këtij dueli është se ndeshja mund të marrë vëmendje të madhe edhe në Kosovë.

“Një tjetër moment i jashtëzakonshëm është se ndeshja do të zhvillohet në vendin tonë dhe do të përcillet e transmetohet nga disa kanale sportive”, tha Krasniqi.

Sipas tij, kjo do t'i japë FC Kosova Düsseldorf dhe futbollistëve të saj një ekspozim që shkon përtej rajonit të Düsseldorfit.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur me këtë short. Për lojtarët tanë, vullnetarët, sponsorët dhe të gjithë njerëzit që qëndrojnë pranë klubit, kjo është një ngjarje e madhe”, theksoi Krasniqi.

Ai paralajmëroi se FC Kosova nuk dëshiron që vetëm ta presë skuadrën e madhe për një festë futbolli.

“Presim një mbrëmje të madhe futbolli dhe një ndeshje që padyshim do të hyjë në historinë e klubit tonë”, përfundoi drejtori sportiv i FC Kosova Dusseldorf.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat