Fadil Muriqi befason për Vedat Muriqin: Të gjitha fjalët u hodhën në baltë

Futboll

Fadil Muriqi befason për Vedat Muriqin: Të gjitha fjalët u hodhën në baltë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 25 shtator 2026 Në ora: 11:23
Fadil Muriqi

Legjenda e futbollit të Kosovës, Fadil Muriqi, ka vlerësuar lart paraqitjen e kombëtares së Kosovës në fitoren 1:0 ndaj Republikës së Irlandës në kuadër të Ligës B të Kombeve, duke veçuar në mënyrë të veçantë kapitenin Vedat Muriqi.

Fadil Muriqi tha se skuadra tregoi karakter, dëshirë dhe burrëri, ndërsa sipas tij rezultati mund të kishte qenë edhe më i thellë.

“Ndeshja ishte fantastike.

Image

Djelmoshat edhe një herë treguan burrëri dhe dëshirë për fitore.

Patën disa raste dhe rezultati mund të kishte qenë edhe më i thellë.

Mirëpo, mendoj se çdo simpatizues dhe çdo shqiptar është i lumtur me këtë rezultat 1:0”, u shpreh Muriqi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Ai foli edhe për zërat që qarkulluan para ndeshjes rreth situatës në kombëtare, duke thënë se fitorja i la pas të gjitha ato diskutime.

“Para ndeshjes kisha dëgjuar disa gjëra, përfshirë problemet në lidhje me kapitenin që ishte tërhequr nga kombëtarja, si dhe pretendimet se disa lojtarë nuk ishin të kënaqur me presidentin Agim Ademi.

Të gjitha këto u hodhën në baltë.

Nuk është asgjë e vërtetë nga ato që u shkruan më herët”, deklaroi ai.

Muriqi vlerësoi edhe punën e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe përzgjedhësit Franco Foda, veçanërisht për përfshirjen e futbollistëve të rinj.

“Mendoj se FFK-ja, në krye me presidentin Agim Ademi, dhe përzgjedhësi Franco Foda kanë bërë një punë të mrekullueshme duke sjellë lojtarë të rinj në kombëtare. Kjo është diçka pozitive për futbollin e Kosovës”, theksoi Muriqi.

Fjalë të veçanta kishte për kushëririn e tij, Vedat Muriqin, i cili shënoi golin e fitores ndaj Irlandës.

“Një përshëndetje të veçantë për të gjithë ata që dhanë maksimumin në fushë, sidomos për kushëririn tim Vedat Muriqi.

Edhe një herë tregoi se është lojtar i madh dhe me karakter të fortë E them këtë sepse pas ndeshjes me Turqinë u thanë shumë fjalë për të. Ai nuk u dorëzua fare, të gjitha i hodhi pas shpine dhe e udhëhoqi skuadrën ashtu siç i ka hije një kapiteni”, tha ai.

Sipas Muriqit, kontributi i Vedatit nuk ishte vetëm te goli.

“Jo vetëm që shënoi golin, por me të vërtetë kontribuoi shumë në çdo aspekt.

Fadil Muriqi e vlerësoi edhe atmosferën brenda ekipit, duke theksuar përgatitjen fizike dhe psikologjike të futbollistëve.

“Atmosfera ka qenë fantastike. Dëshira për fitore ishte e madhe.

Djelmoshat ishin të përgatitur edhe fizikisht, edhe psikikisht dhe kanë krijuar një atmosferë madhështore mes tyre.

Kjo tregon se në të ardhmen mund të presim rezultate edhe më të mira.

Ai foli pozitivisht edhe për futbollistët e rinj që po marrin hapësirë në përfaqësuese.

“Emrat e rinj sjellin freski në kombëtare. Normalisht, konkurrenca bëhet edhe më e fortë dhe kur konkurrenca është e fortë, zakonisht edhe rezultatet janë më të favorshme”.

Muriqi e cilësoi paraqitjen e Vedatit si fantastike, duke përdorur edhe një shprehje të vjetër të futbollit prishtinas për të përshkruar mënyrën se si u shënua goli.

“Vedat Muriqi ka qenë fantastik. Jo vetëm për golin. Në kohën e gjeneratës sonë në Prishtinë thuhej: ‘Ku e shti kokën dikush, nuk e shti sopatën’.

Edhe kjo u vërejt te goli që shënoi kundër Irlandës”.

Ai përmendi edhe futbollistët që morën mundësinë nga banka rezervë, duke veçuar Fisnik Asllanin dhe talentin 17-vjeçar Erblin Osmanin, i cili debutoi me Kosovën.

“Edhe rezervistëve që iu dha rasti, si Asllanit dhe talentit 17-vjeçar Erblin Osmani, i cili për herë të parë mbrojti ngjyrat e Kosovës, duhet t’u jepet përgëzim. Osmani është një perspektivë e jashtëzakonshme për futbollin tonë. Gradualisht i duhet edhe eksperienca, ndërsa eksperienca fitohet duke luajtur”.

Në fund, Muriqi pati një mesazh për Dardanët dhe tifozët: “Edhe një herë, urime Dardanëve, urime tifozëve dhe urime të gjithëve. Presim edhe fitore të tjera”.
 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat