Shqipëria sfidon sonte në mbrëmje Bjellorusinë, për llogari të raundit të parë të Ligës C në Nations League. Ndeshja e cila do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë prej orës 20:45.
Për këtë duel, siç ju kemi informuar edhe më herët, UEFA ka caktuar një trup arbitrash anglezë për të vënë drejtësi në tokën shqiptare. Kryesor është emëruar Samuel Barrott, i njohur gjerësisht për një model interesant drejtimi të ndeshjes.
Veçoritë e Barrott përkufizojnë lojën dinamike, pra të luftuar ku tolerohen duelet e forta ajrore, kontaktet e lehta dhe ndërhyrjet fizike. Është e vështirë të presësh prej tij të vërshëllejë, nëse ndërhyrja është e lehtë, ndërsa simulimet nuk i honeps.
Sa i takon kartonëve, Barrott është mjaft i përmbajtur. Mban një komunikim korrekt me lojtarët duke dhënë paralajmërimet e nevojshme dhe nxjerr të kuqin, vetëm kur faulli është i ndëshkueshëm për të larguar nga loja lojtarin.
Duke marrë në konsideratë këtë tipar të arbitrit, në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë, mund të shohim “nuanca” të sfidave që luhen në Premier League, aty ku gara bëhet më interesante dhe dëshira për të marrë tre pikët, më e luftuar në çdo cep të fushës.