Prishtina shkëlqente në pranverën e vitit 1983.
Pas fitores së bujshme në Çaçak me rezultat 1:0 ndaj Borcit, para shikuesve të vet në Prishtinë, i dhanë leksion ekipit serb Radniçkit nga Piroti, duke e mposhtur me rezultat 3:0 pikërisht me 8 maj (e diel) të vitit 1983.
Për 33 minuta futbollisti Agim Cana me shokë e paketuan ekipin serb dhe gëzuan pamase mbi 15 mijë shikues në takimin e javës së 27-të të Ligës së Dytë Federative të ish Jugosllavisë, grupi i Lindjes.
Trajneri i famshëm hungarez, Bella Pallfi, me strategjinë e tij, në pjesën e parë e kreu punën me rivalin.
“Sikur një javë më parë në Çaçak, futbollistët e Prishtinës në 45 minutat e parë, vërtetë kënaqën mbi 15 mijë spektatorë, duke zhvilluar një lojë, e cila ishte e sinkronizuar me të gjitha bukuritë e këtij sporti tërheqës.
Dëshira e pirotasve që me lojë defensive, duke bërë fortifikatë para portës së Silanovskit, të mos pësojnë, u shua shumë shpejt. Sepse, futbollistët e Prishtinës, me aksione të rrjedhshme, të shpejta dhe të përpunuara mirë, filluan t’ua dridhin themelin pirotave, nga minuta në minutë.
Pasoi gëzimi i madh. Prishtina shtoi epërsinë në 2:0. Edmond Rugova e përballoi me sukses Mitiqin, pastaj me mjeshtri krosoi, Cana këtë herë e rroku topin me kokë dhe ai u gjend në rrjetën e Silanovskit.
Ishte kjo periudhë e një loje të mrekullueshme të futbollistëve të Prishtinës. Të gjithë individët jepnin maksimumin. Fatin e ndeshjes e vulosi, në minutën e 33-të, Fadil Muriqi.
Edhe ky gol u shënua me dy poteza. Faton Domi ekzekutoi korrne nga krahu i majtë, Muriqi u shkëput nga toka, kërceu më së larti dhe Silanoivski vetëm me shikim e përcolli topin pas shpine se vetëm, 3:0”, ka shkruar mes të tjera gazeta “Rilindja” me datën 9 maj të vitit 1983.
Pas javës së 27-të Prishtina kryesonte me 39 pikë, pasonin Sutjeska me 38, Teteksi 32, Bori 21, Trepça 40. Radi 29, Pelisteri 28, Liria 28, Napredaku 28, Slloboda 24, Radniçki (P) 25, Radniçki (K) 25, Vëllaznimi 25, Timoku 24, Borci (Ç) 23, OFK Titogradi 19, Llovçeni 18 dhe Duboçica 18..
Prishtina – Radniçki (P) 3:0
Stadiumi i qytetit në Prishtinë.
Spektatorë: Mbi 15 mijë.
Terreni dhe moti: Të përshtatshëm.
Referoi Adem Dobra i Mitrovicës, me asistimin e Bora Matiqit të Shkupit dhe Miodrag Kërstiqit të Beogradit.
Golat i shënuan: D. Gjorgjeviqi në minutën e 24-t (autogol), Cana 28’ dhe Muriqi 33’.
Prishtina: Kosta Llalliqi 8, Favzi Rama 8, Faton Domi 8, kapiteni Ramadan Cimili 8, Petre Gruevski 8, Lubisha Trajkoviqi 8, Edmond Rugova 7, Fadil Muriqi 8, Fadil Vokrri 8 (Jusuf Tortoshi), Agim Cana 8 (Sahit Kelmendi) dhe Ramadan Mehana 7.
Radniçki: Silanovski 7, D. Gjorgjeviqi 6, Mitiqi 6, Veselinoviqi 6, Mihajlloviqi 7, Rangelovi 6 (Kushtrinoviqi) Gjoshev 6, Manojlloviqi 5 (N. Gjorgjeviqi), Pavlloviqi 6, Nedelkoviqi 6 dhe Mitroviqi 5.