Kombëtarja e Bosnjë - Hercegovinës po përgatitet për ndeshjen e tretë në sezonin e ri të Ligës së Kombeve.
Të premten, më 2 tetor, në Zenicë do të presë Suedinë.
“Dragojtë” sot zhvilluan stërvitjen e fundit në “Koshevo”, para ndeshjes kundër Suedisë.
Ishte një ditë e veçantë për kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës, pasi kapiteni Edin Xheko zhvilloi sot stërvitjen e tij të fundit me kombëtaren e Bosnjë-Hercegovinës.
Siç dihet tashmë, Xheko do të luajë kundër Suedisë ndeshjen e fundit të karrierës së tij me kombëtaren.
Në stadiumin “Asim Ferhatoviq Hase”, ku në vitin 2007 debutoi me kombëtaren në ndeshjen kundër Turqisë dhe shënoi një gol të bukur, 19 vjet më vonë Xheko zhvilloi në të njëjtin stadium edhe stërvitjen e tij të fundit me fanellën e përfaqësueses.
Emocionet pushtuan kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa pritet që atmosfera të jetë edhe më emocionuese të premten mbrëma në Zenicë.
Pikërisht ish trajneri i Prishtinës, Fuat Muzuroviq ishte ai që në vitin 2007 i dha mundësinë Xhekos të debutonte me kombëtaren në ndeshjen kundër Turqisë. Xheko e shpërbleu besimin e tij me një gol spektakolar.
Sa i përket stërvitjes së sotme, i vetmi futbollist që nuk u stërvit ishte portieri i ri Mladen Jurkas, i cili ka probleme me një virozë.
Të gjithë futbollistët e tjerë u stërvitën dhe janë të gatshëm për duelin e nesërm kundër Suedisë.
Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Ndeshja kundër Suedisë do të jetë veçanërisht e rëndësishme për shkak të lamtumirës së Edin Xhekos nga kombëtarja, si dhe për vazhdimin e garës në Ligën e Kombeve dhe përgatitjet për kualifikimet e EURO 2028.