Pickford: Nesër luajmë para fëmijëve kroatë dhe tifozëve të zjarrtë anglezë

Futboll

Pickford: Nesër luajmë para fëmijëve kroatë dhe tifozëve të zjarrtë anglezë

Nga: K. G. Më: 2 tetor 2026 Në ora: 16:34
Pickford

Portieri i Anglisë, Jordan Pickford, ka folur për atmosferën e pazakontë në stadiumin “Rujevica”, ku të shtunën do të përballen Kroacia dhe Anglia në Ligën e Kombeve.

Kombëtaret e Kroacisë dhe Anglisë do të përballen të shtunën, nga ora 18:00, në stadiumin “Rujevica”, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Ndeshja do të zhvillohet në një atmosferë të pazakontë, pasi Kroacia po e vuan dënimin për shkak të racizmit dhe fyerjeve ndaj Francës.

Për këtë arsye, në stadium do të lejohen vetëm fëmijët deri në moshën 14-vjeçare dhe 100 tifozë anglezë.

Për këtë situatë ka folur në konferencën për media portieri i Anglisë, Jordan Pickford.

“Nesër në stadium do të kemi fëmijë kroatë dhe tifozë të zjarrtë anglezë. Në këtë ndeshje, më shumë do të varet nga ne sesa nga Kroacia. Duhet të bëjmë atë që kërkon përzgjedhësi nga ne.

Kroacia prej vitesh është në mesin e kombëtareve më të mira të futbollit botëror. Është një ekip i fortë, me lojtarë të shkëlqyer”, deklaroi Pickford.

Portieri anglez foli edhe për kapitenin legjendar të Kroacisë, Luka Modriç, si dhe për përballjet e mëparshme mes dy kombëtareve.

“Luka Modriç ende po luan dhe i takon çdo respekt. Kroacia ka edhe futbollistë të rinj, të cilët do të jenë të shkëlqyer në të ardhmen.
Sa herë që luajmë kundër Kroacisë, zhvillohen ndeshje të mira dhe konkurruese. Ne humbëm ndaj tyre në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror 2018.

Megjithatë, në ndeshjet e fundit kemi luajtur shumë mirë. Në Kampionatin e fundit Botëror ishim agresivë ndaj Kroacisë dhe nuk e ulëm ritmin gjatë pjesës së parë”, tha portieri i Anglisë dhe Evertonit.

I pyetur nga gazetarët për sulmuesit kroatë, Pickford theksoi se Anglia i ka analizuar me kujdes kundërshtarët.

“Ne i kemi analizuar ata. Nuk ka kaluar shumë kohë nga ndeshja jonë e fundit, edhe pse Kroacia tani ka përzgjedhës të ri. Ata kanë lojtarë edhe nga banka rezervë, të cilët përbëjnë një kërcënim të madh”, përfundoi Pickford.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat