Erling Haaland, sulmuesi norvegjez i Manchester Cityt, ka blerë një pronë luksoze në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Shtëpinë e ka blerë në kuadër të një projekti rezidencial që Manchester City po zhvillon në bashkëpunim me kompaninë Ohana Residences, e specializuar në ndërtimin e pronave luksoze.
Interesant është fakti se një pronë në të njëjtin kompleks ka blerë edhe babai i tij, Alfie Haaland, ish-futbollist i njohur, ndërsa kompleksi pritet të përfundojë deri në vitin 2029.
Haaland e bëri të ditur lajmin gjatë prezantimit të projektit në Etihad Arena në Abu Dhabi, ku iu drejtua të pranishmëve përmes një videomesazhi.
“Përshëndetje të gjithëve! Jam shumë i lumtur që po bëhem pjesë e projektit Manchester City Ohana.
Do të jemi fqinj në Abu Dhabi. Sapo bleva një shtëpi, ndërsa të njëjtën gjë e bëri edhe babai im”, deklaroi sulmuesi norvegjez.
Sipas gazetës britanike “The Sun”, shtëpia e Haalandit ndodhet në një kompleks luksoz në ishullin Yas, në Abu Dhabi. Deri më tani nuk dihet se cilën pronë e ka blerë saktësisht dhe sa ka paguar për të.
Projekti përfshin shtëpi luksoze në varg, vila dhe prona që ndërtohen sipas kërkesave individuale të blerësve.
Çmimet e shtëpive më të vogla me dy dhoma gjumi kalojnë 800 mijë euro, ndërsa pronat më të shtrenjta, të ndërtuara sipas dëshirave të veçanta të pronarëve, kanë çmime fillestare mbi tetë milionë euro.