Montella i jep lamtumirën Turqisë: Do të kesh gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time

Futboll

Montella i jep lamtumirën Turqisë: Do të kesh gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time

Më: 11 tetor 2026 Në ora: 20:26
Vincenzo Montella

Vincenzo Montella i ka dhënë lamtumirën Turqisë pas shkarkimit nga drejtimi i kombëtares, duke përcjellë një mesazh emocional dhe duke falënderuar lojtarët, drejtuesit dhe tifozët për mbështetjen gjatë aventurës së tij në krye të skuadrës.

Trajneri italian u largua nga detyra pas rezultateve zhgënjyese në Ligën e Kombeve, ku Turqia pësoi katër humbje në katër ndeshje.

Megjithatë, në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, Montella zgjodhi të kujtonte momentet pozitive dhe lidhjen e krijuar me vendin që drejtoi për rreth tri vjet.

“Çdo histori e bukur ka një fund, por disa udhëtime lënë gjurmë shumë përtej futbollit”, shkroi tekniku italian, duke shprehur mirënjohjen për ata që i besuan drejtimin e kombëtares turke.

“Ka qenë një nder i madh të emërohesha trajner i Turqisë. Tre vjet më parë u përzgjodha për të drejtuar ekipin e këtij vendi të mrekullueshëm. Falënderoj të gjithë ata që besuan tek unë dhe më treguan besim e vlerësim që në fillim të këtij udhëtimi”, vijoi Montella.

Ish-trajneri i Turqisë vlerësoi veçanërisht futbollistët, duke zbuluar se pas njoftimit për përfundimin e detyrës kishte marrë prej tyre shumë mesazhe solidariteti dhe respekti.

“Së bashku përjetuam momente të paharrueshme, arritëm suksese historike, kapërcyem vështirësi dhe shkruam faqe të veçanta në historinë e këtij vendi. Do ta mbaj gjithmonë në zemër ngrohtësinë e popullit turk”, theksoi ai.

Montella nënvizoi se futbolli nuk përbëhet vetëm nga rezultatet dhe trofetë, por edhe nga marrëdhëniet njerëzore dhe gjurmët që një trajner lë pas vetes.

“Shpresoj që emocionet e paharrueshme që përjetuam së bashku të bëjnë që populli turk të më kujtojë me dashuri dhe respekt. Faleminderit, Turqi! Do të kesh gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time”, përfundoi italiani.

Pavarësisht fundit të hidhur për shkak të rezultateve të fundit, Montella largohet duke theksuar lidhjen emocionale me Turqinë, një eksperiencë që, sipas fjalëve të tij, do të mbetet e paharruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat