Trajneri i Romës tha për rivalin para ndeshjes kundër Real Madridit: “Për ne është një moment i mirë dhe kemi dëshirë të përballemi me një nga skuadrat më të mira në Evropë”.
Roma do ta zhvillojë ndeshjen e parë në shtëpi në Ligën e Kampionëve pas shtatë vjetësh. Kjo ndeshje shënon edhe rikthimin e Jose Mourinhos në stadiumin “Olimpico”, si dhe përballjen me Real Madridin, një skuadër që po kalon disa vështirësi, por që mbetet një gjigant i futbollit evropian.
Megjithatë, Gian Piero Gasperini shfaqet optimist dhe nuk ka ndërmend ta ndryshojë stilin e lojës së Romës para kësaj përballjeje të madhe.
“Për ne është një moment i mirë dhe kemi dëshirë të matemi me njërën prej skuadrave më të mira në Evropë. Real Madridi ndoshta ka nevojë për pak kohë për t’u përshtatur, pasi ka ndryshuar trajnerin dhe mënyrën e lojës. Por të mos harrojmë se e ka mposhtur Interin. Do të jetë një ndeshje prestigjioze, e rëndësishme edhe për renditjen, por ne jemi gati”, deklaroi Gasperini.
Trajneri shmangu krahasimet e vështira me Real Madridin, por theksoi se Roma nuk do të ndryshojë qasjen e saj.
“Nuk duhet ta krahasojmë veten me Real Madridin si skuadër, por në fushë duhet të përballemi me të në kushte të barabarta. Kemi luajtur mirë kundër Interit dhe Comos, që janë ndër skuadrat më të forta në Itali. Tani duam të shohim se sa konkurrues mund të jemi në Evropë”, tha ai.
I pyetur nëse Roma duhet të jetë më e kujdesshme në mbrojtje, Gasperini u përgjigj:
“Në Como u detyruam të luanim në atë mënyrë, por qasja jonë e zakonshme na ka sjellë rezultate shumë të mira. E njoh fuqinë sulmuese të Real Madridit.
Shpesh, atij i duhet shumë pak për të krijuar raste të rrezikshme. Megjithatë, nuk besoj se Roma duhet të heqë dorë nga karakteristikat e veta. Do të mbetemi besnikë ndaj stilit tonë.”
Sa i përket objektivit afatgjatë, Gasperini dëshiron që Roma të arrijë rezultate të ngjashme me ato të Atalantës në vitet e fundit.
“Duhet të bashkohen shumë faktorë. Atalanta u ngjit gradualisht në renditje derisa arriti të luante në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Sot është e vështirë për çdo skuadër italiane të arrijë diçka edhe më të madhe.
Nuk mund të shpallim objektiva madhështorë në Ligën e Kampionëve. Duhet të punojmë mirë, hap pas hapi, sepse rruga është ende e gjatë".