Struga Trim Lum pësoi humbje nga Bashkimi në javën e kaluar, por synon të rikthehet sa më shpejt te fitoret.
Skuadra strugane do të përpiqet ta arrijë këtë në përballjen kundër Shkëndijës së Haraçinës, në stadiumin “Çair”.
Megjithatë, mesfushori Besmir Bojku është i vetëdijshëm se skuadrën e pret një sfidë e vështirë.
“Presim një ndeshje të vështirë, sepse Shkëndija e Haraçinës është një kundërshtar cilësor, ndërsa një sfidë shtesë është fakti që luajmë në fushën kundërshtare.
Megjithatë, do të hyjmë në ndeshje të përgatitur mirë dhe maksimalisht të motivuar, me synimin për të dhënë më të mirën nga vetja dhe për të arritur një rezultat pozitiv.
Duhet të jemi kompaktë në mbrojtje, t’i shfrytëzojmë rastet që do të na krijohen dhe të luftojmë për çdo top gjatë të gjitha 90 minutave“, deklaroi Bojku.
Pas humbjes në Kumanovë, skuadra e ka nxjerrë mësimin.
“Humbja nga Bashkimi na shërbeu si mësim dhe jemi të vetëdijshëm se duhet të reagojmë. Kemi një skuadër me karakter dhe cilësi, prandaj do të japim maksimumin për të treguar një fytyrë krejtësisht tjetër në fushë.
Shpresojmë që, me angazhim, disiplinë dhe lojë ekipore, të arrijmë një rezultat pozitiv kundër Shkëndijës së Haraçinës“, theksoi njëri prej organizatorëve të lojës së Struga Trim Lum.
Ndeshja ndërmjet Shkëndijës së Haraçinës dhe Struga Trim Lum është caktuar të zhvillohet sot, duke filluar nga ora 12:00, në stadiumin “Çair“”. Gjyqtar kryesor i ndeshjes do të jetë Vllatko Ilijoski.