Ndeshja e parafundit e xhiros së 11-të të Ligës së Parë të Malit të Zi përfundoi me fitoren 3:2 të Otrant-Olimpik ndaj Petrovacit.
Skuadra shqiptare nga Ulqini, Otrant-Olimpik, vazhdon ta ruajë pozitën e parë në elitën e futbollit malazez.
Në një intervistë për gazetën malazeze “Vijesti”, rreth një muaj më parë, trajneri i Otrant-Olimpik, Milija Savoviq, kishte thënë se më shumë i pëlqen që skuadra e tij të fitojë 5:4 sesa të mbrohet.
Ndeshjet e fundit po dëshmojnë se ai i qëndron besnik këtij stili sulmues.
Skuadra vendase e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 11-të. Trimror Selimi shënoi për 1:0 në favor të Petrovacit, me pak fat.
Megjithatë, Otranti arriti ta përmbyste rezultatin ende pa përfunduar pjesa e parë. Në minutën e 32-të, Alban Taipi barazoi në 1:1, ndërsa vetëm katër minuta më vonë, Filip Paviqeviq shënoi për epërsinë 2:1 të mysafirëve.
Goli i dytë i dha edhe më shumë besim skuadrës së trajnerit Savoviq.
Në minutën e 68-të, kapiteni Halil Muharemoviq shënoi për 3:1, duke krijuar përshtypjen se Otranti po shkonte drejt një fitoreje të sigurt.
Por Petrovaci nuk u dorëzua.
Në minutën e 72-të, Vuk Strikoviq shënoi me kokë, pas një harkimi nga këndi, duke e ngushtuar rezultatin në 2:3 dhe duke rikthyer emocionet në fund të ndeshjes.
Shpresat e vendasve për ta barazuar rezultatin u vështirësuan në minutën e 75-të, kur Danilo Peshukiq u ndëshkua me karton të kuq direkt.
Në fund, Otrant-Olimpik arriti ta ruajë rezultatin dhe të marrë tri pikë të mëdha.
Otrant-Olimpik vazhdon kështu të kryesojë kampionatin malazez me 22 pikë, dy më shumë se Buduçnosti, që renditet në vendin e dytë.