Javier Alberola Rojas është emri që po prin në garën për ta gjykuar El Clasicon mes Barcelonës dhe Real Madridit, i cili do të zhvillohet të dielën e ardhshme, më 25 tetor, në “Spotify Camp Nou”.
Sipas gazetës “Mundo Deportivo”, komiteti i caktimit të gjyqtarëve në Spanjë tashmë e ka shqyrtuar emrin e gjyqtarit për këtë përballje, ndërsa vendimi zyrtar pritet të bëhet publik të shtunën, një ditë para ndeshjes.
Fillimisht, si kandidat kryesor ishte përmendur Alejandro Hernández Hernández, i cili i kishte gjykuar dy El Clasicot e fundit në “Camp Nou”. Megjithatë, pas raportimeve të mëparshme për këtë mundësi, gjasat e tij duket se janë zvogëluar, duke ia lënë vendin Alberola Rojasit.
Gjyqtari nga rajoni i Castilla-La Mancha nuk e ka drejtuar asnjëherë më parë një El Clasico.
Një tjetër detaj që e favorizon është se këtë fundjavë nuk ka pasur ndeshje në elitën e futbollit spanjoll dhe këtë sezon nuk ka gjykuar as Barcelonën, as Real Madridin.
Alberola Rojas i ka gjykuar 13 ndeshje të Barcelonës, me bilanc prej 10 fitoresh, dy barazimesh dhe vetëm një humbjeje. Ndeshja e fundit e katalanasve nën drejtimin e tij ishte fitorja 3-0 ndaj Levantes, në shkurt të këtij viti.
Ndërkohë, ai ka drejtuar 19 ndeshje të Real Madridit. Madrilenët kanë regjistruar 12 fitore, tri barazime dhe katër humbje.
Ndeshja e fundit e Real Madridit e gjykuar prej tij ishte barazimi ndaj Gironës në prill, ndërsa hera e fundit që e kishte drejtuar skuadrën madrilene si mysafire ishte fitorja 2-0 ndaj Valencias, në Mestalla.
Alberola Rojas pritet të debutojë në Ligën e Kampionëve të mërkurën, në ndeshjen mes Sabahut të Azerbajxhanit dhe Borussia Dortmundit.
Në këtë takim do të jetë i shoqëruar nga asistentët Alfredo Rodríguez Moreno dhe Carlos Álvarez Fernández.
Emërimi për El Clasicon ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por gjyqtari spanjoll aktualisht konsiderohet kandidati më i fortë për ta drejtuar njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit.