Skuadra e Amedspor po rezulton befasia e madhe në këto 8 javë të luajtura në Superligën turke.
Ata mbajnë vendin e 2-të në renditje me 17 pikë, 2 më pak se Galatasaray kryesues.
Në fitoren 1:0 të Amedspor karshi Konyaspor, ka bërë bujë në rrjetet sociale reagimi i sulmuesit nigerian, Gift Orban. 24-vjeçari u zëvendësua nga loja në minutën e 72-të, pa mundur të lërë “gjurmë”.
Pas daljes nga fusha, Orban u “tërbua”, duke goditur ndenjëset ku qëndronte stafi i trajnerit dhe lojtarët rezervë.
Sapo trajneri Besnik Hasi e pikasi këtë “skenë”, reagimi i Orban ishte i menjëhershëm, duke i kërkuar falje dhe se kjo mënyrë e të reaguarit kishte të bënte për mungesën e golit.
“Timonieri” shqiptar po bën punë të mrekullueshme te Amedspor, duke e kthyer në rivalë të denjë për titull mes ekipeve prestigjioze në Turqi si Galatasaray, Fenerbahce, Besiktas e Trabzonspor.