Albian Ajeti shënon dy gola, Uran Bislimi një në tokën spanjolle në garat evropiane

Futboll

Albian Ajeti shënon dy gola, Uran Bislimi një në tokën spanjolle në garat evropiane

Nga: K.Goca Më: 22 tetor 2026 Në ora: 20:30
Albian Ajeti duke festuar golin ndaj Getafes

Futbollistët shqiptarë Albian Ajeti dhe Uran Bislimi janë protagonistët kryesorë të ndeshjes mes Getafes dhe Luganos.

Ajeti ka shënuar dy gola, ndërsa Bislimi ka realizuar një tjetër në fitoren e Luganos me rezultat 5:2 në fushën e Getafes, në kuadër të xhiros së dytë të Ligës së Konferencës.

Ndeshja nisi me ritëm të jashtëzakonshëm. 

Image

Lugano

Në minutën e dytë, Ivan Azon Monzón depërtoi bukur në mbrojtjen kundërshtare dhe shënoi një gol fantastik nga distanca, duke e dërguar topin pranë shtyllës së majtë për epërsinë e Getafes.

Megjithatë, përgjigjja e Luganos ishte e menjëhershme. Vetëm një minutë më vonë, në minutën e tretë, Albian Ajeti përfitoi nga një pasim i lartë, arriti i pari te topi dhe e dërgoi atë në rrjetë, duke barazuar rezultatin në 1:1.

Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e shtatë. Yanis Cimignani përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe, me një goditje të saktë, shënoi në këndin e majtë të portës për 1:2.

Ajeti shënon sërish, Bislimi vulos rezultatin

Albian Ajeti vazhdoi të ishte i rrezikshëm për mbrojtjen e skuadrës spanjolle. Në minutën e 26-të, sulmuesi shqiptar realizoi golin e tij të dytë me një volej të fuqishëm nga skaji i zonës, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të djathtë dhe duke e çuar rezultatin në 1:3.

Goli i katërt i Luganos erdhi në minutën e 50-të. Mattia Zanotti pasoi te Uran Bislimi, i cili u gjend i pambuluar brenda zonës së rreptësisë dhe, pa e ndalur topin, goditi menjëherë drejt portës. Topi përfundoi në pjesën e sipërme të rrjetës, për rezultatin 1:4.

Në minutën e 74-të Borja Mayoral (Getafe) e shtyn topin në rrjetë nga fare pranë vijës së portës, pasi një top i kthyer me fat përfundon te këmbët e tij, 2:4.

Behrens realizoi për rezultatin 2:5 në minutën e 90+2.

Të dy futbollistët shqiptarë e nisën ndeshjen nga minuta e parë. Ajeti u zëvendësua në minutën e 66-të, ndërsa Bislimi u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 20-të.

Pas përfundimit të xhiros së dytë, Panathinaikosi kryeson renditjen me gjashtë pikë, aq sa ka edhe Lugano, që renditet në vendin e dytë. Ndërkohë, Getafe renditet në vendin e 26-të me vetëm një pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat