Borussia Monchengladbach ka shënuar fitoren e parë të sezonit në Bundesligë, duke triumfuar me rezultat 3:2 në udhëtim ndaj Stuttgartit, në kuadër të javës së shtatë.
Protagonisti kryesor i mysafirëve ishte Wael Mohya, i cili realizoi një gol dhe regjistroi një asistim, duke luajtur rol vendimtar në përmbysjen e rezultatit.
Stuttgarti kaloi në epërsi që në minutën e pestë, kur Ermedin Demiroviq shënoi pas një goditjeje nga distanca, duke përfituar nga gabimi i portierit të Borussia Monchengladbach.
Pas një fillimi më të mirë të vendasve, Monchengladbach arriti të rikthehej në lojë dhe në minutën e 38-të barazoi rezultatin. Pas një goditjeje të Uno, Joe Scally devijoi bukur topin me thembër dhe e dërgoi në rrjetë për 1:1.
Në pjesën e dytë, mysafirët e nisën më mirë dhe përmbysën rezultatin në minutën e 51-të. Mohya tregoi aftësi të shkëlqyera individuale, duke kaluar kundërshtarët dhe duke asistuar për Shuto Machinon, i cili shënoi për 1:2.
Në minutën e 66-të, udhëtuesit shfrytëzuan një kundërsulm për të thelluar epërsinë.
Pas një aksioni të rrezikshëm, Scally e ktheu topin në zonë, ku Mohya u gjend në vendin e duhur dhe shënoi me kokë për 1:3.
Stuttgarti nuk u dorëzua dhe në minutën e 83-të Demiroviq shënoi golin e dytë të vendasve, duke ngushtuar rezultatin në 2:3.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “MHP Arena”, para 60 mijë shikuesve.
Borussia Monchengladbach është në vend të 18-të me 3 pikë dhe Stuttgart e zë vendin e 14-të me 6 pikë.