Xherdan Shaqiri kundër Amir Abrashit, pa fitues derbi i kapitenëve të Kosovës në Zvicër

Futboll

Xherdan Shaqiri kundër Amir Abrashit, pa fitues derbi i kapitenëve të Kosovës në Zvicër

Nga: K.G. Më: 25 tetor 2026 Në ora: 18:33
Xherdan Shaqiri në veprim gjatë ndeshjes së sotme

Xherdan Shaqiri dhe Amir Abrashi përballen në derbin zviceran, por asnjëri nuk arrin të dalë fitues. Baseli dhe Grasshoppersi luajtën baras, 0:0, në kuadër të javës së 11-të të kampionatit zviceran të futbollit.

Baseli i kapitenit Xherdan Shaqiri u ndal në shtëpi nga Grasshoppersi i Amir Abrashit, i cili ia doli të largohej i pamposhtur nga stadiumi “St. Jakob-Park” në Basel.

Shaqiri e zhvilloi tërë ndeshjen për Baselin, ndërsa për Grasshoppersin gjatë gjithë takimit u paraqitën edhe Amir Abrashi, Bujar Pllana dhe Samuel Krasniqi.

Rastin e parë të rrezikshëm e krijuan vendasit në minutën e tretë. Pas një topi të humbur nga mbrojtja, Baseli e rifitoi shpejt posedimin. Shaqiri e mori topin dhe pasoi drejt Omeragiqit. Gjuajtja e këtij të fundit u përplas në traversë, duke i shpëtuar Grasshoppersin nga pësimi i golit.

Në minutën e 62-të, Shaqiri ndërmori një aksion të mirë individual dhe e shërbeu Zelarin në pozitë të favorshme

. Megjithatë, aksioni nuk u konkretizua, pasi Baselit i mungoi vendosmëria në momentin përfundimtar.

Vendasit vazhduan të kërkonin golin edhe në minutat e fundit.

Në minutën e 70-të, pas një aksioni ku ishte i përfshirë Shaqiri, Otele gjuajti drejt portës, por mbrojtja e Grasshoppersit e bllokoi goditjen në momentin e fundit. Baseli provoi përsëri deri në fund, por rezultati nuk ndryshoi.

Me këtë barazim, Baseli mbetet në vendin e shtatë me 14 pikë, ndërsa Grasshoppersi renditet në pozitën e 11-të me 9 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat